Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se është përfshirë në disa raste të vjedhjeve në Kaçanik.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, më 5 gusht në Stacionin Policor në Kaçanik janë raportuar dy raste, “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të ndodhura në rrugën “Idriz Seferi”.
“Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit e stacionit policor në Kaçanik, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, analizimit të provave materiale dhe punës operative në terren, kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar me inicialet I.R., 21 vjeç”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
“Gjatë intervistimit, në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar përfshirjen në dy rastet e raportuara më 05.08.2026, si dhe në një rast tjetër të ‘Vjedhjes së rëndë’, të raportuar më datën 08.07.2026”, njofton Policia.
Sipas Policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin e shtetit.
“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.