×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    ​Futbollisti i kombëtares së Anglisë akuzohet për sulm ndaj një tifozit në klub nate

    Reporteri
    07 Gusht 2026 | 15:03

    Sulmuesi i Kombëtares së Anglisë, Ivan Toney, është akuzuar për sulm fizik që ka lënë pas lëndime trupore, pasi dyshohet se goditi me kokë një tifoz që po përpiqej të bënte një fotografi me të në një klub nate në zonën Soho të Londrës.

    Futbollisti 30-vjeçar u akuzua zyrtarisht të enjten e kaluar për veprën penale të shkaktimit të lëndimeve trupore, pas një incidenti që ndodhi më 6 dhjetor të vitit të kaluar në klubin 100 Wardour Street në Londër, sipas The Daily Mail.

    Toney, i lindur në Northampton dhe aktualisht pjesë e klubit Al-Ahli, do të paraqitet para Gjykatës së Magjistraturës në Westminster më 24 shtator.

    Sipas raportimeve, ish-sulmuesi i Brentfordit, i cili iu bashkua Al-Ahli-t për 40 milionë funte në vitin 2024, ishte kapur nga një tifoz që kërkonte të bënte një selfie me të.

    Një dëshmitar tha se Toney po kalonte pranë një tavoline me disa të rinj, kur njëri prej tyre e njohu dhe tentoi ta përqafonte nga qafa për të bërë një fotografi.

    “Ai i tha disa herë: ‘Largohu nga unë, largohu nga unë”, citon dëshmitari.

    Sipas tij, Toney mbante një orë të shtrenjtë dhe mund të ketë menduar se po tentohej të vidhej.

    Pas incidentit, futbollisti u arrestua nën dyshimin se e kishte goditur tifozin me kokë.

    Përmes zëdhënësit të tij, Toney deklaroi se e pranon ekzistencën e akuzës, por është i befasuar nga ajo dhe pret të ketë mundësinë të pastrojë emrin e tij në gjykatë.

    Që nga arrestimi vitin e kaluar, Toney ka qenë në liri pa kushte. Ai mori gjithashtu vizë për në Shtetet e Bashkuara dhe u lejua të udhëtonte për Kupën e Botës në qershor, ku luajti në dy ndeshje me Anglinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!