×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    Mourinho i kërkon falje ish-lojtarit të tij, pas 20 vitesh

    Reporteri
    08 Gusht 2026 | 17:53

    Dy dekada pasi mori një nga vendimet më të guximshme të karrierës së tij të re si trajner, Jose Mourinho i kërkoi falje një prej ish-lojtarëve të tij për faktin se e kishte lënë jashtë ndeshjes më të madhe në futbollin e klubeve.

    Në verën e vitit 2004, Porto sfidoi të gjitha parashikimet dhe u shpall kampione e Evropës.

    Golat e Deco, Dmitri Alenichev dhe Carlos Alberto në finalen ndaj Monacos i siguruan klubit një trofe historik të Ligës së Kampionëve, në atë që ishte ndeshja e fundit e Mourinhos në krye të skuadrës, përpara largimit të tij drejt Chelseat.

    Ishte një sezon i paharrueshëm evropian për klubin portugez, ndërsa sulmuesi Benni McCarthy luajti një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt finales.

    McCarthy, i cili shënoi 25 gola gjatë sezonit 2003-04, u bë protagonist me dy gola në ndeshjen e fazës së 1/8-ve ndaj Manchester Unitedit, e cila gjithashtu ishte ndeshja e parë evropiane në “Estadio do Dragao”.

    Megjithatë, sulmuesi në formë duhet të ketë mbetur i befasuar kur Mourinho vendosi të aktivizonte Carlos Alberton nga minuta e parë në finale.

    McCarthy u aktivizua në pjesën e dytë dhe u bë futbollisti i parë dhe i vetmi nga Afrika e Jugut që ka fituar Championsin, ndërsa Alberto shënoi golin e parë dhe vendimtar të finales.

    Vendimi për ta lënë McCarthyn në stol duket se ka rënduar shumë te Mourinho.

    Dy dekada më vonë, ai i kërkoi falje përmes një postimi në Instagram dhe shpjegoi arsyetimin pas një prej vendimeve më të guximshme të karrierës së tij si trajner.

    “Më vjen keq, @bennimac17, që të lash në stol, por kisha një ndjesi se ai djaloshi i çmendur, @calberto_oficial, do të shënonte”, shkroi ai.

    “Më mungojnë vaktet në autobusin e skuadrës. Shpresoj që të gjithë të takohemi më 26 maj 2029 dhe të festojmë 25 vite histori të jashtëzakonshme. Kujdesuni për veten, pleq”.

    Mes dyshes nuk ka asnjë hatërmbetje. Në të kaluarën, McCarthy e ka lavdëruar Mourinhon për aftësitë e tij “të pabesueshme” në menaxhimin e lojtarëve.

    Ai gjithashtu ka treguar se si reagoi kur Mourinho i dha lajmin se Carlos Alberto do të luante nga minuta e parë në vend të tij në ndeshjen ndaj Monacos.

    “Isha një lojtar i ekipit”, tha ai, sipas “GOAL”.

    “Për shembull, në finalen e Champions League, nëse do të isha një njeri egoist, thjesht do të kisha thënë: ‘Jo, dua të luaj. Unë e kam ndihmuar ekipin të arrijë deri këtu, por nëse duhet të sakrifikohem, atëherë e pranoj.’ Nuk isha më i madh se skuadra. Nuk isha më i madh se askush. Nëse trajneri mendon se kjo është gjëja më e mirë për të bërë, atëherë e pranoj. Nuk isha i lumtur, por e pranova sepse ishte në interesin më të mirë të skuadrës dhe mendoj se kjo ishte ajo që u respektua më shumë se çdo gjë tjetër në atë situatë. Mendoj se kjo është arsyeja pse ai do të flasë gjithmonë shumë mirë për mua”, shtoi McCarthy.

    “Sepse nuk isha një lojtar egoist. Nuk e bëra gjithçka rreth vetes”, e mbylli ai./GazetaExpress/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!