Ngjarja e sotme në Kuvendin e Kosovës, përveç mediave të rajonit, ka zënë vend edhe në media të mëdha si Reuters, dhe në disa media të tjera të ndryshme të huaja.
“Reuters” në faqen e zyrtare ka publikuar një numër fotografish nga seanca e sotme, duke treguar për vezët që iu hodhën kryeministrit Albin Kurti nga deputetja e Aleancës, Time Kadriaj.
Ndërkaq, Agjencia “Associated Press” ka publikuar videon me titull “Ligjvënësja opozitare hedh vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
Për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, ka raportuar edhe The Guardian, duke publikuar po ashtu pamjet nga momenti kur deputetja Time Kadriaj hodhi vezë në drejtim të kryeministrit Kurti.
Gazeta britanike, “Metro” ka raportuar me titullin: “Kaosi shpërthen në Parlamentin e Kosovës, deputetja hedh vezë drejt Kryeministrit”.
Në anën tjetër, “Sky News” lajmin për ngjarjet e sotme e titulloi: “Momenti kur deputetja e opozitës hedh vezë drejt kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
As vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e cila kishte nisur të enjten e javës së kaluar, nuk solli sot konstituimin e Kuvendit dhe as zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Seanca, e cila nisi me vonesë dhe zgjati më pak se pesë minuta, prodhoi një tjetër skenë: vezë të hedhura në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës, nuk zgjati as pesë minuta, ndërsa u ndërpre pas incidentit ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit kryeministrit në detyrë.
Pas ndërprerjes së seancës, Kurti doli në konferencë për media në hollin e Kuvendit. Ai u paraqit pa sako. Shenjat e vezëve u panë në pantallonat e tij.
Kurti tha se do të ishte i lumtur ta paguante këtë “çmim”, nëse hedhja e vezëve do të ishte kostoja që ai duhet të paguajë për t’i ulur në një tryezë partitë opozitare dhe për të diskutuar për formimin e institucioneve./Reporteri.net/