Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar të gjitha bizneset prodhuese, marketet dhe subjektet e tjera që tregtojnë produkte të qumështit që të tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme.

IQMT u referohet raporteve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me numër 4942, të datës 27 korrik 2026, dhe 5203, të datës 10 gusht 2026.

“U bëjmë thirrje të gjitha bizneseve prodhuese të produkteve të qumështit, marketeve dhe çdo subjekti tjetër që tregton produkte të qumështit, që menjëherë të tërheqin nga tregu të gjitha produktet e konstatuara si të papërputhshme”, thuhet në njoftimin e IQMT-së.

Reklamë

Sipas IQMT-së, nga sot do të intensifikohen kontrollet në të gjitha subjektet që tregtojnë këto produkte, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Institucioni ka paralajmëruar masa ndëshkuese për bizneset ku gjatë inspektimit konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesave të inspektorit.

“Sipas nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-279, me gjobë në shumë prej tre mijë (3.000) deri në nëntë mijë (9.000) euro dënohet personi juridik i cili nuk eliminon parregullsitë e konstatuara nga inspektori brenda afatit të përcaktuar në procesverbal dhe nuk vepron sipas kërkesës së inspektorit”, thuhet në njoftim.

IQMT ka theksuar se mos tërheqja nga tregu e produkteve të konstatuara me mospërputhje, përfshirë produktet me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje të kërkesave ligjore dhe cenon interesat dhe të drejtat e konsumatorëve.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes IQMT-së, do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të kërkesave ligjore”, thuhet më tej.

Reklamë

IQMT u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë menjëherë dhe me përgjegjësi, duke i tërhequr nga tregu produktet e identifikuara me mospërputhje dhe duke respektuar kërkesat e organeve kompetente.

“Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve në treg janë përgjegjësi e përbashkët”, përfundon njoftimi.