Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.
Lista Studentore fitoi zgjedhjet, duke larguar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe subjektin e tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas rezultateve përfundimtare, në Parlamentin e ri serb do të përfaqësohen shtatë lista.
Lista Studentore do të ketë 140 nga gjithsej 250 deputetë, pasi ka fituar 2.354.417 vota.
Ndërkaq, lista Serbia e Bashkuar, e Vuçiqit, do të ketë 103 mandate, pasi fitoi 1.731.323 vota.
Vetëm këto dy lista kanë kaluar pragun zgjedhor prej 3 për qind. Listat e tjera që kanë hyrë në Parlament janë nga komunitetet joshumicë të cilat mund të fitojnë mandate me një përqindje më të ulët të votave.
Komuniteti shqiptar do të ketë dy mandate në Kuvend. Në këto zgjedhje, tetë parti shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci garuan përmes një liste të përbashkët të quajtur Koalicioni Shqiptar, duke fituar gjithsej 27.673 vota.
Bartësi i listës të Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, e ka vlerësuar si “arritje historike” këtë rezultat zgjedhor.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, ka deklaruar Kamberi pas publikimit të rezultateve preliminare më 25 tetor.
Sipas rezultateve, dy mandate do të ketë edhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës. Ndërkaq, nga një mandat do ta kenë lista Rasim Lajiq – Njerëzisht, SDA – Mbrojtësit e Sanxhakut dhe Usame Zukurlliq – Lëvizja për Bashkim.
Në zgjedhje votuan votuar 4.441.636 persona dhe 4.385.065 fletëvotime ishin të vlefshme.
Sipas ligjeve në Serbi, komisioni zgjedhor është i obliguar që, pas shpalljes së rezultateve, brenda dhjetë ditësh t’ua ndajë mandatet kandidatëve sipas renditjes në listat zgjedhore.
Mandatet më pas konfirmohen në seancën e parë të përbërjes së re parlamentare, të cilën e thërret kryetari i Kuvendit nga përbërja e kaluar. Këtë post e mban Ana Bërnabiq, nga SNS-ja e Vuçiqit, e cila njëkohësisht është ushtruese e detyrës së presidentit të Serbisë.
Parlamenti i ri serb duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Më pas nis rrjedhja e afatit 90-ditor për formimin e Qeverisë së re të Serbisë./REL