Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike për një takim konsultativ, i cili është caktuar të mbahet të martën, më 18 gusht.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se takimi synon të trajtojë zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, me theks të veçantë te nevoja për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, formimin e institucioneve.
Ftesa e Haxhiut vjen në kohën kur Kosova po përballet me një krizë institucionale, ndërsa vazhdimi i konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të premten se partitë politike duhet të nisin diskutimet konkrete për presidentin, përfshirë edhe emrat potencialë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.
Ai theksoi se presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe te qytetarët.
Kurti bëri të ditur se një natë më parë u kishte shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, duke kërkuar takime për të diskutuar për çështjen e presidentit.
“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, në Kosovë ekzistojnë dhjetëra personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë edhe persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, të cilët mund të konsiderohen për këtë pozitë.
Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi tërheqjen nga negociatat me LVV-në për ndarjen e posteve institucionale. LDK-ja ka bërë të ditur se nuk kërkon poste, por do të mbështesë një figurë jopartiake për president.
Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, e cila nisi më 6 gusht.
Seanca është ndërprerë pasi LVV-ja nuk ka propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit, duke insistuar që fillimisht të arrihet një marrëveshje politike për themelimin e institucioneve.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka akuzuar LVV-në se ka shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
“LVV-ja e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Hamza.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë qëndruar edhe ditëve të kaluara në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e punës së tij. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe me përplasje dhe tensione mes deputetëve të opozitës dhe atyre të LVV-së.