Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën e Albulena Haxhiut për takim, duke e akuzuar atë dhe Albin Kurtin se po synojnë ta fajësojnë opozitën për dërgimin e vendit në zgjedhje dhe zvarritjen e bllokadës institucionale.

Përmes një letre drejtuar Haxhiut, Gjini ka thënë se ajo nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së partive politike.

“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar ai.

Reklamë

Sipas Gjinit, takimi nuk është thirrur për të gjetur zgjidhje, por për të përcaktuar fajtorin për një vendim që, siç pretendon ai, tashmë është marrë.

“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, thuhet në letër.

Kreu i Aleancës ka pretenduar se synimi është zvarritja e bllokadës deri në një datë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka përfunduar Gjini.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka dërguar ftesë udhëheqësve partiakë për një takim konsultativ që është caktuar për të martën e 18 gushtit në orën 09:00.

Reklamë

Në këtë ftesë thuhet se takimin konsultativ ajo e ka thirrur për të biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale.