Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për tejkalimin e krizës dhe formimin e institucioneve të Kosovës.

Përmes një postimi, Kurteshi ka kritikuar liderët politikë, duke thënë se vendi po mbahet peng dhe se qytetarët prej kohësh janë në pritje të një zgjidhjeje.

Sipas tij, institucionet nuk mund të ndërtohen përmes bllokadave dhe përpjekjeve të njërës palë për ta mposhtur tjetrën.

Reklamë

“Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës”, ka shkruar Kurteshi.

Ai ka thënë se ata që kanë marrë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr vendin kanë obligim të punojnë për formimin e institucioneve dhe jo për bllokimin e tyre.

Kurteshi ka theksuar se Kosova pa institucione stabile humb shumë, ndërsa ka vlerësuar se akuzat e ndërsjella nuk mund të çojnë drejt një zgjidhjeje.

Duke iu referuar një deklarate të ish-ministrit Armend Meha, ai ka thënë se palët duhet të ulen në një tryezë, të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë një rrugë të përbashkët.

“Vullneti mungon jo se udhëheqësit nuk e duan Kosovën, por se inatin dhe lakminë i kanë më të mëdha se vullnetin”, ka shkruar Kurteshi.

Reklamë

Në fund, ish-deputeti i LVV-së ka kërkuar që interesat e vendit të vendosen mbi inatet dhe ambiciet politike.

“Vendit i duhet një marrëveshje nga e cila fiton Kosova”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “as inatet, as lakmia, por marrëveshja është zgjidhja”.