Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar takimin e radhës, ku në fokus ka qenë zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës dhe tejkalimi i ngërçit institucional.

Pas takimit, Kurti tha se diskutimet janë përqendruar në kriteret dhe profilin që duhet ta ketë presidenti apo presidentja e ardhshme.

“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri, për me sa vëzhgohet edhe në profesionet e caktuara”, tha Kurti.

Reklamë

Ai theksoi se procesi është i ndjeshëm dhe se tani të dy subjektet duhet të zhvillojnë konsultime të brendshme.

“Andaj edhe pas këtij takimi kemi nevojë që të kthehemi te subjektet tona përkatëse politike. Ne te Lëvizja Vetëvendosje dhe delegacioni tjetër tek Lidhja Demokratike e Kosovës, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultimet e brendshme dhe të ritakohemi ashtu që të merremi vesh”, deklaroi Kurti.

Kryetari i LVV-së tha se për zgjedhjen e presidentit nuk duhet të jenë në plan të parë interesat partiake apo individuale, por ato shtetërore dhe demokratike.

“Besoj që mirëbesimi që kemi në njërën anë dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, duket se na bëjnë optimistë”, tha Kurti.

Ai shtoi se synimi është që presidenti i ardhshëm të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të kontribuojë në funksionimin demokratik të shtetit.

Reklamë

“Përkundrazi kemi vullnet për interes dhe përgjegjësi shtetërore e demokratike, pra për kreun e shtetit, përkatësisht shprehjen e unitetit të popullit që mishërohet me një president apo presidente të re të Republikës”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë, Abdixhiku tha se gjatë takimit është arritur pajtim në parim për profilin që duhet ta ketë presidenti i ardhshëm.

“U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, presidenti duhet ta dojë dhe ta mbrojë Republikën, të ushtrojë demokracinë dhe të përfaqësojë unitetin politik në përputhje me Kushtetutën.

Reklamë

“Një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së bëri të qartë se partia e tij nuk synon një president partiak.

“LDK nuk do president partiak”, tha Abdixhiku, duke shtuar se presidenti duhet të jetë figurë e respektuar dhe ta ushtrojë me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror.

Abdixhiku tha se ende nuk janë diskutuar emra konkretë dhe se para kësaj faze do të ketë konsultime të brendshme në të dyja subjektet politike.

Reklamë

“Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por që nga fjalët që është një temë gjithashtu shumë sensitive dhe kërkuam një periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative edhe me shoqërinë në secilën mënyrë të vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme”, tha ai.

Abdixhiku theksoi gjithashtu se LDK-ja nuk kërkon përfaqësim institucional në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit, por vetëm stabilitet institucional.

“Po flasim për çështjen e presidentit dhe LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë vetëm stabilitet institucional”, deklaroi Abdixhiku.

Takimi i sotëm ishte një tjetër përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për tejkalimin e ngërçit institucional. Palët pritet të zhvillojnë konsultime të brendshme para takimit të ardhshëm, ku mund të diskutohet edhe për emrat konkretë për presidentin.

Reklamë