Një ngjarje e rëndë është shënuar në Krutje të Lushnjës, ku një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe ka plagosur rëndë babanë.
Sipas të dhënave paraprake, pas ngjarjes autori, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga vendi i krimit dhe aktualisht ndodhet në drejtim të paditur.
“Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij“, njoftojnë uniformat blu.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.