Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar boksieren Donjeta Sadiku për fitimin e medaljes së artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kurti ka bërë të ditur se kjo është medalja e parë e artë për Kosovën në këto gara, duke e vlerësuar suksesin e Sadikut si një arritje të madhe për sportin kosovar.
“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se boksierja kosovare triumfoi në finale ndaj ruses Kristina Kuluhova, e cila garoi për Serbinë.
“Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, ky sukses është i rëndësishëm jo vetëm për Sadikun, por edhe për ekipin e Kosovës që po merr pjesë në këto gara dhe për gjithë sportin e vendit.
“Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në fund, kryeministri në detyrë ka uruar Donjeta Sadikun dhe trajneren e saj Mariola Sallauka për këtë arritje.
“Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!”, ka përfunduar Kurti.