Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është lënduar gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

Rasti ka ndodhur dje, ndërsa FSK-ja ka bërë të ditur se pjesëtari ka pësuar lëndime të lehta dhe se gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Sipas njoftimit zyrtar, atij i është ofruar menjëherë ndihma e parë mjekësore, ndërsa aktualisht po vazhdon trajtimin.

Reklamë

“Dje, gjatë realizimit të një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, një pjesëtar i FSK-së, ka pësuar lëndim të lehtë. Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile”

Në njoftimin e saj, FSK-ja nuk ka dhënë detaje për shkakun teknik të shpërthimit, duke bërë të ditur se rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse.

‘Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve stërvitore dhe operacionale. FSK-ja i uron pjesëtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë”, thuhet në njoftimin e FSK.

Sipas raportimeve të djeshme, lëndimi ka ardhur si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës që po përdorej gjatë stërvitjes. Pas incidentit, ushtari fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës, e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se gjendja e tij është stabile dhe se janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Reklamë

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavit Gashi, ka bërë të ditur për Sinjalin se ushtari ka pësuar thyerje të një unaze në shtyllën kurrizore, në pjesën e kraharorit. Sipas tij, janë planifikuar ekzaminime shtesë.