×
  • Sport
  • Raporto
  • Sport

    James Milner rikthehet te Liverpooli, pas pensionimit të tij nga futbolli sezonin e kaluar

    Reporteri
    14 Shtator 2026 | 16:41

    James Milner është rikthyer te Liverpooli pas pensionimit nga futbolli profesionist në fund të sezonit të kaluar – në rolin e trajnerit të grupmoshave.

    Milner i dha fund karrierës së tij 24-vjeçare si futbollist në moshën 40-vjeçare, pas një periudhe trevjeçare te Brighton and Hove Albion, ku bëri 46 paraqitje në të gjitha garat.

    Ai kishte qenë i rezervuar kur ishte pyetur nëse, duke pasur parasysh aftësitë e tij drejtuese dhe përvojën, do të kalonte definitivisht në menaxhim apo trajning në të ardhmen. Por tani duket se po e ndërmerr hapin e parë të këtij rrugëtimi.
    Sipas “This is Anfield”, Milner ishte të shtunën në kompleksin stërvitor të Liverpoolit në Kirkby, në të njëjtën ditë kur Reds barazuan 0-0 me Fulhamin në “Anfield”.

    Në vend se të kishte ndonjë përfshirje me ekipin e parë në këtë fazë – dhe raportohet se nuk ka plane për një gjë të tillë – thuhet se ai ka udhëhequr një seancë me ekipin U-11, “për të fituar përvojë praktike në trajning”.

    Milner e ndoqi nga afër trajnerin Fabian Hurzeler dhe stafin e tij te Brighton sezonin e kaluar, gjatë kohës kur po rikuperohej nga lëndimi, ndërsa ka përfunduar edhe licencën UEFA A.

    Kjo licencë i mundëson atij të drejtojë në çdo nivel të futbollit anglez, megjithatë do të duhet të marrë licencën UEFA Pro nëse vendos të bëhet trajner në nivelet më të larta të futbollit anglez – si Will Still te Reims.

    Në një intervistë për “Goal” në mars, Milner tha se kishte dyshime për kalimin në menaxhim, duke pasur parasysh periudhën e shkurtër që trajnerët shpesh qëndrojnë në klube, por tha se do të “donte ta provonte, sidomos pasi është e vështirë”.

    Megjithatë, ai mund ta marrë me qetësi përpara se të kalojë në trajningun profesionist.

    “Jurgen [Klopp] më tha se kur të përfundosh, gjëja e parë që duhet të bësh është të pushosh”, deklaroi Milner.

    “Mendoj se kur ke qenë në intensitetin në të cilin kam qenë unë për kaq shumë vite, kjo është e rëndësishme, të reflektosh dhe të bësh një pushim të vogël, të kuptosh se cili është hapi i radhës dhe të shohësh se ku do të shkojmë prej aty”, shtoi ai.

    Pas raportimeve për përfshirjen e Milnerit te Liverpooli në nivelin e grupmoshave, tifozët e “Reds” kanë kërkuar nga klubi që ta përfshijë atë në një rol me ekipin e parë – me disa prej tyre që pretendojnë se problemet e sezonit të kaluar, kur Liverpooli e përfundoi Premierligën në vendin e pestë, nuk do të kishin ndodhur nëse ai do të ishte në klub.

    Liverpooli pati një rindërtim të rëndësishëm të mesfushës pas largimit të Milnerit në vitin 2023, megjithëse mund të argumentohet se ata nuk e zëvendësuan kurrë lidershipin dhe përvojën që ai sillte në dhomën e zhveshjes.

    Këtë verë, Liverpooli zgjodhi të mos e zëvendësonte Curtis Jonesin pasi e shiti tek Interi në verë, madje shkoi deri aty sa bllokoi një mundësi huazimi në Championship për James McConnell, për ta mbajtur atë në “Anfield”.

    “Reds” kanë gjashtë lojtarë për të mbuluar tri pozita në mesfushë, me McConnell, Ryan Gravenberch, Dominik Szoboszlai, Alexis Mac Allister, Florian Wirtz dhe Trey Nyoni që janë opsione.

    Është edhe Wataru Endo, i cili ka qenë zëvendësues i papërdorur në të gjitha ndeshjet e Liverpoolit deri më tani këtë sezon, ndërsa nuk është e qartë se çfarë pozite e sheh tani Iraola si më të mirën për të.

    Ish-kapiteni i kombëtares së Japonisë, Endo, luajti disa herë si mbrojtës i djathtë sezonin e kaluar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!