Juventusi ka shfaqur interesim për transferimin e Bruno Fernandesit, duke iu bashkuar Milanit në garën për kapitenin e Manchester Unitedit.
Sipas “Tuttosport”, drejtuesit e klubit torinez kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e transferimit të mesfushorit portugez.
Kontrata e Fernandesit skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa Unitedi ka mundësinë ta zgjasë edhe për një sezon. Megjithatë, bisedimet për rinovim janë pezulluar.
“Nuk është momenti i duhur. Tani duhet të përqendrohemi te fitimi i ndeshjeve, pastaj mund të flasim sërish për kontratën”, ka deklaruar portugezi.
Milani gjithashtu po e monitoron situatën, ndërsa një rikthim në futbollin italian mund të jetë tërheqës për 31-vjeçarin, i cili më herët ka luajtur për Novaran, Udinesen dhe Sampdorian.
Një rol në këtë histori mund të ketë edhe Ruben Amorim, me të cilin Fernandes ka marrëdhënie të mira dhe ndan të njëjtën agjenci menaxhuese.
Juventusi, megjithatë, do ta shqyrtonte seriozisht këtë transferim vetëm nëse siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, interesimi nga Arabia Saudite dhe MLS-ja nuk duket se e josh futbollistin portugez./Express/