Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë thirrjet e drejtuesve të industrisë së inteligjencës artificiale për mbikëqyrje më të madhe qeveritare, duke i cilësuar shqetësimet si “mashtrim”. Qëndrimi i tij ka shqetësuar edhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët, sipas CNN-së, privatisht shprehin frikë për mungesën e dukshme të vëmendjes së presidentit ndaj rreziqeve të kësaj teknologjie.
Në postimet e së hënës në rrjetin e tij Truth Social, Trump pretendoi se po zhvillohet një “komplot i sëmurë” për të penguar inteligjencën artificiale. Ai këmbënguli se SHBA-ja tashmë ka kompetenca të fuqishme penale dhe rregullatore ndaj kompanive dhe se drejtimi i tij është i mjaftueshëm për të parandaluar daljen e modeleve jashtë kontrollit.
Trump shkroi se e vetmja masë kontrolli që i nevojitet inteligjencës artificiale është një president “i fortë dhe i mençur”, duke lënë të kuptohet se ruajtja e epërsisë ndaj Kinës ka përparësi ndaj kërkesave për kufizime të reja.
Sipas CNN-së, presidenti ka minimizuar nevojën për masa shtesë sigurie për katër ditë radhazi. Ai pretendoi gjithashtu se administrata e tij i ka ndaluar tashmë kompanitë të ndërmarrin veprime të këqija apo potencialisht të dëmshme, pa dhënë hollësi në deklaratat e cituara.
Në shënjestër të kritikave të tij ishte edhe drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, i cili ka kërkuar mbikëqyrje më të madhe qeveritare.
Qëndrimi i presidentit vjen në një kohë kur po rritet skepticizmi publik ndaj inteligjencës artificiale. Frika për humbjen e vendeve të punës, ndikimi i qendrave të të dhënave në komunitete dhe paralajmërimet e fundit për sigurinë kanë shtuar kërkesat për masa mbrojtëse.
Kjo situatë, raporton CNN, ka vënë në pozitë të vështirë republikanët që përballen me gara të forta zgjedhore dhe që kërkojnë t’u dëshmojnë votuesve se po i marrin seriozisht shqetësimet e tyre.
Edhe nënpresidenti JD Vance shprehu dyshime për motivet e kompanive që kërkojnë rregullim. Ai paralajmëroi se kërkesat mund të jenë një “kalë Troje”, pasi kufizimet e reja mund t’u sjellin përfitime vetë kompanive që i propozojnë.
Megjithatë, Vance pranoi se inteligjenca artificiale mbart rreziqe dhe shprehu shpresën që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi të bashkëpunojnë për hartimin e masave mbrojtëse.
Sipas zyrtarëve të cituar nga CNN, gjatë kësaj jave pritet të organizohen takime me ekspertë të administratës për inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike, ku do të diskutohen rregulla të mundshme të reja. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se shpreson të zhvillojë bisedime me Trumpin, ligjvënësit dhe drejtuesit e kompanive teknologjike.
Ndërkohë, administrata po përpiqet t’i zgjerojë diskutimet për inteligjencën artificiale në takimin e planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping, i cili pritet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme.
Dy udhëheqësit kishin diskutuar për masa mbrojtëse edhe gjatë takimit në Pekin në maj, por me rezultate të kufizuara. Ministria kineze e Tregtisë njoftoi javën e kaluar se ata janë pajtuar për krijimin e një dialogu ndërqeveritar për inteligjencën artificiale.
Trump, ndërkaq, vazhdon ta paraqesë këtë industri si një shtyllë të suksesit ekonomik të administratës së tij, duke theksuar rritjen e tregjeve të aksioneve dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave./Reporteri.net/