Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka treguar se ka përfunduar vizitën me babanë e tij pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se Jakup Krasniqi falënderon të gjithë shqiptarët për mbështetjen që i është dhënë, siç shprehet ai, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sapo përfundova vizitën me babin. Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Altin Krasniqi.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së janë “të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër” për veprimtarinë e tyre.
“Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008”, ka deklaruar ai.
Altin Krasniqi ka thënë se aktgjykimi, sipas tij, është “dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës”.
“UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”, ka përfunduar ai.