Zinedine Zidane ka nisur të vendosë rregullat e tij te kombëtarja e Francës, duke ndryshuar disa prej praktikave që kishin qenë pjesë e ekipit gjatë 14 viteve të drejtimit nga Didier Deschamps.
Trajneri 54-vjeçar prezantoi të premten listën e tij të parë si përzgjedhës i Francës, ndërsa një nga ndryshimet e para lidhet drejtpërdrejt me praninë e mediave.
Sipas Sport Bild, Zidane ka vendosur që kamerat e televizioneve të mos lejohen gjatë prezantimit të listës së futbollistëve. Konferenca e tij për shtyp do të transmetohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të Federatës Franceze të Futbollit.
Gjatë mandatit të Deschamps, televizione të caktuara kishin të drejtën të filmonin dhe transmetonin drejtpërdrejt shpalljen e listës dhe konferencën pasuese.
Fund edhe “paradës së modës” në Clairefontaine
Një tjetër ndryshim prek mbërritjen e futbollistëve në qendrën stërvitore të kombëtares në Clairefontaine.
Në vitet e fundit, ardhja e yjeve francezë ishte shndërruar në një ngjarje mediatike më vete. Kamerat dhe fotografët prisnin lojtarët, ndërsa veshjet e tyre shpesh bëheshin temë diskutimi në media dhe rrjetet sociale.
Një prej rasteve të fundit ishte paraqitja e Michael Olise me një kapelë me figurën e Mickey Mouse.
Me Zidane në krye, kjo praktikë do të ndryshojë. Mediat nuk do të kenë më të njëjtën qasje për të filmuar mbërritjen e lojtarëve, ndërsa pamjet do të kontrollohen kryesisht nga Federata Franceze e Futbollit.
Megjithatë, raportimet në Francë dhe Spanjë bëjnë të ditur se do të krijohen zona të përziera ku gazetarët do të mund të komunikojnë me futbollistët.
Zidane gjithashtu nuk planifikon të japë intervista individuale gjatë grumbullimit të tij të parë. Ai do të komunikojë kryesisht përmes konferencave zyrtare për shtyp.
Ndryshimet sinjalizojnë një qasje më të kontrolluar ndaj ekspozimit mediatik të kombëtares, në fillimin e një epoke të re për Francën.
Zidane publikoi edhe listën e parë
Ish-trajneri i Real Madridit tashmë ka publikuar edhe listën e tij të parë si përzgjedhës. Në të janë përfshirë disa emra të rinj, mes tyre Jeremy Jacquet, Guillaume Restes, Lucas Da Cunha dhe Esteban Lepaul.
Kylian Mbappe vazhdon të mbajë shiritin e kapitenit, ndërsa në skuadër është rikthyer Eduardo Camavinga. Aurélien Tchouaméni mungon teksa vazhdon rikuperimin fizik.
Zidane mori drejtimin e Francës këtë verë, duke zëvendësuar Deschamps pas 14 vitesh në krye të kombëtares.
Ndeshja e parë e tij në stol do të jetë kundër Turqisë më 25 shtator në Ligën e Kombeve.