×
  • Extra
  • Raporto
  • Extra

    Anthropic hyn në laboratorët biologjikë, synon që Claude të drejtojë robotë për të përshpejtuar zhvillimin e barnave

    Reporteri
    18 Shtator 2026 | 20:33

    Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka ngritur në heshtje një laborator biologjik në zonën e San Franciscos, duke kaluar nga eksperimentet dhe analizat vetëm në kompjuter drejt punës fizike në laborator dhe duke zgjeruar ambiciet e saj në shkencën e barnave.

    Sipas një raportimi ekskluziv të Reuters, kompania që qëndron pas modelit të inteligjencës artificiale Claude synon të eksplorojë edhe mundësinë që AI të drejtojë sisteme robotike të afta për të kryer eksperimente shkencore me ndërhyrje të kufizuar njerëzore.

    Ekzistencën e të ashtuquajturit “wet lab”, laborator ku kryhen eksperimente reale biologjike – e ka konfirmuar për Reuters drejtuesi i shkencave të jetës në Anthropic, Eric Kauderer-Abrams.

    Ai tha se, pavarësisht përparimit të simulimeve kompjuterike dhe inteligjencës artificiale, biologjia vazhdon të kërkojë verifikim në botën reale.

    “Ne besojmë se për të bërë biologji, testi përfundimtar është ende, dhe do të jetë për një kohë, puna reale në laborator”, tha Kauderer-Abrams.

    Anthropic po kryen një pjesë të eksperimenteve në objektet e veta dhe një pjesë tjetër përmes partnerëve të jashtëm.

    Kompania ka sqaruar se laboratori i saj nuk është krijuar posaçërisht për zbulimin e barnave, por lëvizja vjen në një kohë kur Anthropic po shton ndjeshëm angazhimin në shkencat e jetës dhe ka bërë publike ambicien për përdorimin e AI në zhvillimin e trajtimeve të reja.

    Claude mund të drejtojë robotët në laborator

    Një prej objektivave është të testohet se deri ku mund të arrijë Claude në drejtimin e pajisjeve robotike që kryejnë eksperimente.

    Sipas një burimi të Reuters, Anthropic dëshiron që AI të jetë në gjendje t’u japë udhëzime njësive robotike në laborator, duke automatizuar një pjesë të procesit shkencor me ndërhyrje të kufizuar të njerëzve.

    Megjithatë, kompania thekson se mbikëqyrja dhe përfshirja njerëzore vazhdojnë të jenë thelbësore për sigurinë.

    Kauderer-Abrams tha se industria është ende në fazat shumë të hershme të përdorimit të AI-së për automatizimin e punës laboratorike, por potenciali për përshpejtimin e shumë proceseve është i madh.

    Në praktikë, një sistem i tillë mund të krijojë një cikël ku inteligjenca artificiale analizon të dhënat, propozon eksperimentin e ardhshëm, udhëzon pajisjet laboratorike dhe më pas analizon rezultatet e reja.

    Synimi: barna për sëmundje që konsiderohen shumë të vështira për t’u trajtuar

    Anthropic beson se AI mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve për sëmundje që industria farmaceutike i ka konsideruar deri tani tepër të vështira ose financiarisht joatraktive.

    Kompania ka folur më parë për synimin që të zhvillojë programe paraklinike në fusha ku kompanitë tradicionale nuk shohin interes të mjaftueshëm ekonomik.

    Kauderer-Abrams beson se AI mund të përshpejtojë kërkimet edhe për sëmundje që konsiderohen “undruggable” – pra gjendje për të cilat ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të gjenden molekula efektive terapeutike.

    Një prej fushave ku teknologjia mund të ndihmojë është zhvillimi i antitrupave bispecifikë dhe trispecifikë, molekula komplekse që mund të projektohen për të vepruar në disa pika të një proteine ose qelize, apo kundër disa objektivave njëkohësisht.

    Megjithatë, Anthropic nuk ka treguar se cilat sëmundje konkrete po studion dhe as se sa larg kanë arritur programet e saj.

    Nuk do të kryejë prova klinike te njerëzit

    Anthropic ka vendosur gjithashtu një kufi të rëndësishëm për ambiciet e saj.

    Kompania nuk planifikon, të paktën tani për tani, të zhvillojë vetë prova klinike te njerëzit.

    Kjo do të thotë se Anthropic synon të përqendrohet kryesisht në fazat e hershme të kërkimit dhe zhvillimit, përpara se një kandidat për ilaç të hyjë në procesin shumëvjeçar të testimit klinik.

    Kauderer-Abrams tha se kompania nuk synon të konkurrojë drejtpërdrejt me kompanitë farmaceutike dhe bioteknologjike që e kanë biznes kryesor sjelljen e barnave në treg.

    Ky dallim është i rëndësishëm, pasi identifikimi i një molekule premtuese është vetëm fillimi. Shumica e kandidatëve për barna dështojnë gjatë testimeve për sigurinë dhe efikasitetin dhe mund të duhen vite përpara se një terapi të arrijë te pacientët.

    Shkencat e jetës, ndër investimet më të mëdha të Anthropic

    Anthropic po e shoqëron projektin me investime në njerëz, teknologji dhe infrastrukturë.

    Sipas Kauderer-Abrams, shkencat e jetës tashmë përfaqësojnë një nga fushat më të mëdha të investimeve të kompanisë për sa i përket numrit të punonjësve dhe burimeve.

    Kompania ka kërkuar ekspertë për operacionet laboratorike, prokurimin dhe karakterizimin e proteinave dhe acideve nukleike.

    Në një prej shpalljeve të saj për punësim, objektivi përshkruhej në mënyrë ambicioze: përshpejtimi me dhjetëfish i progresit në shkencat e jetës.

    Anthropic ka prezantuar gjithashtu Claude Science, ndërsa në bordin e saj është përfshirë edhe drejtori ekzekutiv i Novartis, Vas Narasimhan.

    Kompania ka blerë gjithashtu startup-in Coefficient Bio, një marrëveshje që sipas raportimeve mediatike kishte vlerë rreth 400 milionë dollarë në aksione. Anthropic ka konfirmuar blerjen, por jo shumën.

    Teknologjitë e saj tashmë përdoren nga kompani të mëdha farmaceutike, përfshirë Genentech të Roche, Bristol Myers Squibb dhe Novo Nordisk.

    Ambicia për barna përplaset me frikën nga rreziqet biologjike të AI-së

    Zgjerimi në biologji vjen në një moment veçanërisht interesant për Anthropic.

    Vetë kompania ka paralajmëruar për rreziqet që modelet gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale mund të krijojnë, përfshirë mundësinë që ato të keqpërdoren për zhvillimin e armëve biologjike.

    Në të njëjtën kohë, Anthropic po përpiqet të demonstrojë anën tjetër të teknologjisë: potencialin e saj për të përshpejtuar zbulimet mjekësore dhe zhvillimin e terapive.

    Kauderer-Abrams tha se kompania përpiqet të balancojë këto dy dimensione – përmirësimin e modeleve në mënyrë që ato të ndihmojnë në zhvillimin e barnave dhe, njëkohësisht, vendosjen e kufizimeve për të reduktuar rrezikun e keqpërdorimit.

    Për drejtorin ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei, kërkimi mjekësor ka edhe një dimension personal. Ai ka treguar se babai i tij kishte vdekur nga një sëmundje vetëm pak vite përpara se për atë sëmundje të gjendej një trajtim.

    Sipas Kauderer-Abrams, misioni i Anthropic është zhvillimi i inteligjencës artificiale së fuqishme në një mënyrë që sjell përfitime për botën, ndërsa kompania e sheh shkencën e jetës si një nga fushat ku ky ndikim mund të jetë më i madh.

    Laboratori i ri është një nga hapat e parë konkretë drejt këtij vizioni: kalimi i Claude nga analizimi i biologjisë në kompjuter drejt ndërveprimit, përmes automatizimit dhe robotikës, me eksperimentet biologjike në botën reale.

    Por rezultatet janë ende të pasigurta. Edhe nëse AI arrin ta përshpejtojë ndjeshëm fazën e zbulimit të molekulave, kandidatët për barna duhet të kalojnë proceset e gjata të testimit paraklinik dhe klinik përpara se të provohet se janë të sigurt dhe efektivë te njerëzit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!