×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Trump dhe Macron takohen sot në Nju Jork, në fokus zhvillimet ndërkombëtare

    Reporteri
    21 Shtator 2026 | 8:27

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të takohet këtë pasdite me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Nju Jork, ku të dy liderët ndodhen për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Sipas agjendës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 17:35 sipas kohës lokale.

    Biseda mes dy liderëve pritet të përqendrohet në zhvillimet ndërkombëtare dhe disa prej krizave kryesore me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar.

    Para takimit me Macron, Trump do të takohet me kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zoran Mamdanin, i cili i përket krahut të majtë të Partisë Demokratike dhe ka kundërshtuar disa prej politikave të presidentit amerikan.

    Ndërkohë, Macron mbërriti në Nju Jork nga Saint-Pierre-et-Miquelon, ku të dielën u takua me kryeministrin kanadez, Mark Carney. Dy liderët diskutuan për sovranitetin kombëtar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Francës dhe Kanadasë.

    Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Macron pritet të zhvillojë edhe takime të tjera dypalëshe, përfshirë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të mbështesë forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe të aleancave ndërmjet shteteve.

    Presidenca franceze ka shprehur shqetësim për dobësimin e mekanizmave shumëpalësh dhe përçarjet në rritje mes pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!