Një segment i Rrugës B në Prishtinë do të mbyllet përkohësisht të shtunën, për shkak të organizimit të garës urbane të çiklizmit “Criterium Prishtina 2026”, edicioni i parë.
Sipas njoftimit të Federatës së Çiklizmit të Kosovës, mbyllja do të bëhet nga ora 08:30 deri në 12:00.
Segmenti që do të jetë i bllokuar për qarkullimin e automjeteve përfshin pjesën nga rrethrrotullimi në lidhje me Rrugën A deri te rrethrrotullimi i Maxi 24.
Megjithatë, rrethrrotullimi te Maxi 24 nuk do të bllokohet, pasi shiriti i tij i brendshëm do të mbetet i hapur për qarkullim normal.
Për të shmangur ngarkesat në trafik dhe vonesat e mundshme, Federata u ka rekomanduar qytetarëve të shfrytëzojnë rrugët alternative, përfshirë Rrugën A, Rrugën C dhe Rrugën “Fadil Vata”, përmes lagjes Bregu i Diellit.
Federata e Çiklizmit e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, me qëllim të garantimit të sigurisë së garuesve dhe mbarëvajtjes së aktivitetit.
Po ashtu, qytetarët janë ftuar të mbështesin garën “Criterium Prishtina 2026” dhe zhvillimin e çiklizmit në kryeqytet.