Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit i janë përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një letër të përbashkët, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin, ndërsa kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.
Familjet kanë deklaruar se presin “sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”.
Sa i përket ftesës së Haxhiut, familjet kanë thënë se e vlerësojnë atë, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet pas një vendimi të Kuvendit.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve.
Haxhiu kishte ftuar në takim familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me qëllim që, sipas Presidencës, të diskutonin “rrugën dhe strategjinë përpara që duhet ta ndjekim si shtet e si shoqëri” pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.