Kosova e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Irlandën me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Golin e fitores për “Dardanët” e shënoi Vedat Muriqi, ndërsa pas ndeshjes përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, vlerësoi paraqitjen e skuadrës, veçanërisht organizimin në fazën defensive.
“Më pëlqeu reparti defensiv. Nuk krijuan asnjë mundësi irlandezët. Më pëlqeu qetësia, sidomos pas pjesës së parë. U thashë të qëndrojnë të qetë dhe goli do të vijë”, deklaroi Foda.
Përzgjedhësi gjerman u shpreh i kënaqur edhe me paraqitjet individuale, duke përmendur Edon Zhegrovën dhe Baton Zabërgjën, ndërsa vlerësoi punën e bërë në mesfushë nga Leoni dhe Veldini.
“Edhe me Zhegrovën që luajti 70 minuta, pasi kishte kohë pa luajtur, jam i kënaqur. Edhe me Batonin po ashtu. Leoni dhe Veldini bënë punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndara. Leoni kishte rol defensiv, kurse Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani ynë”, tha Foda.
Pas fitores ndaj Irlandës, Kosova tashmë e ka fokusin te sfida e radhës. “Dardanët” të dielën do të përballen me Austrinë në Vjenë. Foda e njeh mirë futbollin austriak, pasi në të kaluarën ka qenë përzgjedhës i Austrisë dhe e ka drejtuar atë edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2020. Megjithatë, ai thekson se skuadra austriake ka ndryshuar dhe se Kosova duhet të përgatitet maksimalisht.
“Kundër Austrisë do të jetë ndeshje tjetër. Austria ka lojë më të shpejtë, kurse këtu kishim detyrë t’i ndalnim topat e gjatë. Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë”, shtoi Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës pret edhe mbështetje të madhe nga tifozët shqiptarë në Vjenë.
“Besoj se do ta kemi edhe në Vjenë mbështetjen e shqiptarëve që janë në numër të madh”, përfundoi Foda.
Pas tri pikëve të fituara ndaj Irlandës në Prishtinë, Kosova synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe ndaj Austrisë.