Vala e reagimeve dhe tubimeve në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë ka përfshirë fuqishëm qendrat më të mëdha evropiane.
Mërgata shqiptare ka organizuar marshime e protesta masive në disa shtete të ndryshme, duke kërkuar drejtësi dhe duke shprehur përkrahje të pakursyer për luftën e pastër të UÇK-së.
Qindra shqiptarë protestuan sot edhe në Ulm të Gjermanisë me flamuj të UÇK-së dhe kombëtarë kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Në pamjet e siguruara nga protesta në Desseldorf të Gjermanisë, shihet një pjesëmarrje masive e shqiptarëve që me flamuj kombëtarë, simbole të UÇK-së dhe thirrje të njëzëshme, po vazhdojnë të shprehin solidaritetin dhe kërkesën e tyre të palëkundur për drejtësi.
Edhe Heilbronni është ngritur në këmbë për çlirimtarët, me një pjesëmarrje të gjerë qytetarësh.
Ndërkohë, në Hannover sheshet janë mbushur me jehonën e thirrjeve të njëzëshme “UÇK, UÇK“ dhe pankarta në përkrahje të krerëve të luftës.
Përkrahja ka qenë tejet e veçantë edhe në Francë, mërgata është tubuar në Mulhouse, ku përveç tubimit statik, bashkatdhetarët kanë parakaluar me vetura të zbukuruara me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së.
Qindra bashkatdhetarë janë mbledhur në një protestë paqësore në Goteborg, duke kërkuar lirimin dhe drejtësinë për çlirimtarët që po mbahen në Hagë.
Edhe kryeqyteti finlandez Helsinki, ka jehuar nga zëri i diasporës, shqiptarët atje kanë dalë në rrugë me flamuj të UÇK-së dhe simbole kombëtare, duke u rreshtuar krah për krah në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare. /KlanKosova