×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Kurti nis komunikimet me opozitën: Javën e ardhshme duam ta kemi presidentin

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 10:29

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke e cilësuar këtë fundjavë si vendimtare.

    Kurti ka thënë se synimi është që Kosova javën e ardhshme të ketë presidentin e ri.

    “Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president”, ka deklaruar Kurti, transmeton EO.

    Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar përtej afatit kushtetues prej 30 ditësh, duke bërë që afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të fillojë nga konstituimi i Kuvendit.

    Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti i dytë më i madh në Kuvend, ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por ka kushtëzuar përfshirjen në këtë proces me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    PDK-ja kishte refuzuar takimet me Vetëvendosjen para shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Kjo parti kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, por pretendimet e saj u vlerësuan nga kjo gjykatë si të pabazuara në antikushtetutshmëri.

    Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, PDK-ja ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke propozuar kufizimin e mandatit të tyre në trajtimin e krimeve të përfshira në raportin e Dick Martyt, si dhe monitorim ndërkombëtar të punës së tyre. Projektligji i propozuar parasheh që rastet për krimet e luftës të trajtohen në Kosovë.

    Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, u dënuan më 16 shtator me 25, 25, 18 dhe 13 vjet burgim, respektivisht.

    Krahas PDK-së, edhe Aleanca kishte refuzuar takimet me Vetëvendosjen dhe Kurtin, duke kërkuar plotësimin e kushteve të saj, ndërsa një prej kërkesave kryesore lidhet me projektin e gazit amerikan.

    E vetmja parti opozitare që kishte zhvilluar takime me Kurtin ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. VV-ja dhe LDK-ja kishin arritur marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, por gjashtë deputetë të LDK-së kishin dalë kundër saj, duke e vënë në pikëpyetje sigurimin e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para.

    Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidatura. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime të reja mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për çështjen e presidentit.

    Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi shkon në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen jo më larg se 15 nëntori.

    Këto do të ishin zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet. Zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar ishin të rregullta, ndërsa pas pamundësisë për formimin e Qeverisë u mbajtën zgjedhje të reja në dhjetor. Në qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhje të tjera, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!