×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Policia në aksion për mbrojtjen e pyjeve në Ferizaj e Shtërpcë, konfiskohen dru

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:50

    Policia e Kosovës, përkatësisht stacionet policore në Ferizaj dhe Shtërpcë, në bashkëpunim me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës (APK), kanë realizuar kontrolle në kuadër të Planit Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”.

    Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, aktivitetet janë zhvilluar me qëllim të parandalimit dhe luftimit të prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të druve.

    Më 2 tetor 2026, rreth orës 04:00, në fshatin Burrnik, zyrtarët policorë kanë asistuar ekipet e APK-së gjatë kontrolleve, ku janë hasur dy mjete të ngarkuara me dru – një xhip me rimorkio dhe një traktor me rimorkio.

    Me përcjellje policore, mjetet janë dërguar në depon e Pylltarisë, ku zyrtarët e APK-së kanë konfiskuar drutë dhe kanë ndërmarrë veprimet procedurale.

    Kontrolle janë realizuar edhe nga zyrtarët e Stacionit Policor në Shtërpcë. Në fshatin Brod është hasur një furgon i ngarkuar me dru.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka thënë se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e institucioneve kompetente për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive pyjore, si dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!