×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Komunikata

    OVL e UÇK kërkon amendament që ia ndalon Speciales rihapjen e rasteve që janë gjykuar nga ICTY, UNMIK, EULEX apo gjykata tjera

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 12:50

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore të gjykuara më herët.

    Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL-UÇK thotë se një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet përsëri me procedura penale për të njëjtat fakte për të cilat ekziston një vendim përfundimtar.

    OVL-UÇK thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kërkon që ndryshimi i cilësimit juridik apo formulimit të akuzave të mos mundësojë, sipas saj, “riciklimin” e fakteve dhe rrethanave që janë shqyrtuar më parë nga TPNJ-ja, UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente. Organizata i ka bërë thirrje Kuvendit që këtë amendament ta trajtojë me urgjencë.

    Komunikata e plotë:

    Kërkesë e OVL UÇK-së për amendament në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

    Të nderuar Shefa të Grupeve Parlamentare,

    Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas shqyrtimit të Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ju drejtohet me kërkesën që në kuadër të këtij projektligji të përfshihet një amendament i veçantë, përmes të cilit të përcaktohet qartë ndalimi i rihapjes së çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore, të cilat janë shqyrtuar dhe përfundimisht gjykuar nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo nga çdo gjykatë tjetër kompetente.

    Konsiderojmë se një garanci e tillë ligjore është e domosdoshme për të siguruar parimin e sigurisë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit askush nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte dhe rrethana për të cilat ekziston një vendim përfundimtar i një organi gjyqësor kompetent.

    Kjo çështje është e rëndësisë së veçantë, pasi që ish-udhëheqësit e UÇK-së janë gjetur fajtorë në shkallën e parë për raste të gjykuara më herët në procese gjyqësore të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

    Për këtë arsye është e nevojshme që kuadri ligjor të sigurojë qartë se ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar.

    Organiata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i bënë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të zgjedhurve të popullit që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të Projektligjit, duke garantuar mbrojtjen efektive të sigurisë juridike, parimit të barazisë para ligjit dhe të drejtës për një proces të drejtë.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së beson se një garanci e tillë është e rëndësishme jo vetëm për ish-udhëheqësit e UÇK-së, por edhe për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit në institucionet e drejtësisë.
    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme dhe që amendamenti përkatës të përfshihet në plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Me respekt,
    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!