×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Zgjedhjet në Bosnje: Kush po kryeson garën për Presidencën?

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 23:37

    Denis Beqiroviq, Darijana Fillipoviq dhe Zhelka Cvijanoviq po kryesojnë garën për Presidencën trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, sipas rezultateve të para të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 4 tetor.

    Beqiroviq është nga Partia Socialdemokrate e Bosnje e Hercegovinës (SDP BiH), Fillipoviq nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ BiH), ndërsa Cvijanoviq nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.

    Në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, partitë kryesuese janë Partia e Veprimit Demokratik (SDA) e Bakir Izetbegoviqit, Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Nermin Nikshiqi dhe Bashkimi Demokratik Kroat.

    Në Republikën Sërpska, SNSD-ja e Dodikut kryeson bindshëm, ndërsa kandidati i saj, Savo Miniq, udhëheq garën për president të këtij entiteti.

    Rezultatet nuk janë përfundimtare.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 1.432.269 qytetarë, apo rreth 42 për qind e votuesve të regjistruar. Pjesëmarrja ishte rreth 9,4 pikë përqindjeje më e ulët se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022.

    Qytetarët votuan për anëtarët e Presidencës trepalëshe dhe deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës, presidentin e Republikës Sërpska, deputetët e parlamenteve të dy entiteteve dhe përfaqësuesit në kuvendet e dhjetë kantoneve të Federatës.

    Zgjedhjet u zhvilluan në një sistem politik kompleks, të krijuar në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1990 në vend.

    Gjatë fushatës, disa kandidatë bënë thirrje për shtimin e përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa Dodiku promovoi një agjendë separatiste.

    Dodiku nuk ishte në asnjë fletëvotim, pasi i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike, por fytyra e tij ishte e dukshme në billborde në mbarë Republikën Sërpska, ku ai mbetet një zë me ndikim të madh.

    Në një tubim parazgjedhor, ai bëri thirrje që kufiri mes Republikës Sërpska dhe Serbisë të fshihet. Politikanë të tjerë nacionalistë kanë bërë thirrje për bashkim me Serbinë.

    “Shpresat e mia i kam te fakti se brezat e rinj që po vijnë janë shumë më të zgjuar se ne që ishim ndonjëherë. Vetëm shpresoj që ata të mos mbartin të njëjtin lloj frike që kemi ne, frikën që na ka bërë të tërhiqemi në kampet tona kombëtare për më shumë se 30 vjet tani”, tha banorja e Sarajevës, Suzana Saçiq, më 4 tetor.

    “Nuk pres ndonjë ndryshim drastik këtu. Në thelb, ne jemi një shoqëri që është mësuar me këtë lloj politike”, tha një tjetër votues, Lubisha Açimoviq, në qendrën administrative të Republikës Sërpska, Banjallukë.

    Këto zgjedhje të përgjithshme u shoqëruan për herë të parë me përdorimin e identifikimit biometrik të votuesve dhe skanimin e fletëvotimeve. Problemet teknike bënë që disa qendra votimi të hapeshin më vonë sesa ishte planifikuar.

    Pas zgjedhjeve, do të konstituohen përbërjet e reja parlamentare dhe do të zhvillohen zgjedhjet e tërthorta për disa organe të tjera, përfshirë Dhomën e Popujve të Parlamentit shtetëror dhe presidentin e nënpresidentët e Federatës së Bosnje e Hercegovinës. Procesi i formimit të pushtetit përfshin edhe krijimin e Këshillit të Ministrave në nivel shtetëror, qeverive të dy entiteteve dhe qeverive të dhjetë kantoneve të Federatës. / REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!