×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus
    INSTANT

    Sami Kurteshi i VV-së përplaset me protestuesit, njëri i vërsulet nga rrethojat

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:43

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi i është afruar protestuesve që po qëndrojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Në një moment njëri prej protestuesve që ndodhet prapa hekurave që i ka vendosur policia e Kosovës e kap për krahu deputetin, i cili i revoltuar shtyn dorën e tij.

    Në moment ndërhyn policia e cila e kap Kurteshin dhe e largon nga vendi i ngjarjes ,derisa protesuesit e shajnë deputetin.

    Publikohet projektligji: Çfarë ndryshimesh parashihen për Specialen?

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:52

    Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

    Nisma, e cila tashmë është miratuar në lexim të parë, parasheh disa ndryshime thelbësore në funksionimin dhe juridiksionin e Speciales.

    Ndër ndryshimet kryesore që parashihen:

    Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;

    Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000;

    Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;

    Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;

    Transferimi tek institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Dhomave të Specializuara;

    Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;

    Mundësia që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë;

    Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.

    Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

    Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.

    Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të kalojë në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.

     

    ​Pas votimit në parim të Projektligjit për Specialen, Haziri: S’mashtrohemi, jemi këtu deri në leximin e dytë

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:37

    Organizatori i protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, Çlirim Haziri, pas votimit në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka thënë se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës.

    Haziri tha se protestuesit nuk do të largohen derisa projektligji të votohet edhe në lexim të dytë.

    Ai u bëri thirrje protestuesve që të qëndrojnë me dinjitet dhe të mos gjuajnë në drejtim të Policisë.

    Haziri: Do të presim këtu derisa të votohet edhe në lexim të dytë, të mos mashtrohet askush

    “Këtu nuk ka përfunduar asgjë , këtu sapo ka filluar. Do të presim këtu bashkë derisa të bëhet edhe leximi i dytë e të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Pra të mos mashtrohet askush se do të largohemi nga kë tu derisa të votohet ligji për UÇK-në . Do të qëndrojmë, qëndroni me dinjitet, mos gjuani në drejtim të Policisë ”, tha Haziri.

    Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sot në lexim të parë, me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Haxhiu u bën thirrje protestuesve për qetësi: UÇK-në dhe as çlirimtarët nuk i mbrojmë me dhunë

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:29

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe karakterin paqësor të protestës që po zhvillohet para Kuvendit të Kosovës.

    Gjatë seancës së Kuvendit, ku u miratua në lexim të parë projektligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haxhiu tha se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

    Nga foltorja e Kuvendit, ajo kërkoi nga protestuesit që të shmangin çdo formë dhune, duke theksuar se një gjë e tillë, sipas saj, do ta dëmtonte kauzën që protestuesit synojnë ta mbrojnë.

    “Para Kuvendit po zhvillohet një protestë për ndryshimin e ligjit për Specialen. E drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi dhe, si e tillë, duhet të respektohet plotësisht. Nga kjo foltore dhe si institucion i bëj thirrje të gjithë protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të protestës, sepse besoj të gjithë pajtohemi që dhuna e dëmton kauzën që të gjithë duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe çlirimtarëve tanë. Kuvendi e miratoi në parim projektligjin, prandaj u bëj thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe protesta të vazhdojë në mënyrë paqësore. Besoj se edhe grupet parlamentare duhet të bëjnë një thirrje të njëjtë. As UÇK-në dhe as çlirimtarët tanë nuk i mbrojmë me dhunë. Vlerat e tyre nuk mbrohen përmes dhunës”, tha ajo.

    Sot, në Kuvendin e Kosovës me 91 vota për e asnjë kundër, është votuar në leximin e parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit te specializuar.

    Mes thirrjeve “tradhtare” e krismave të mjeteve piroteknike, Gërvalla ngutet për të hyrë në Kuvend

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:18

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka arritur në Kuvendin e Kosovës para pak minutash.

    Në hyrje të objektit të Kuvendit ajo është përcjellë me brohoritje nga protestuesit të cilët e kanë quajtur edhe “tradhtare”.

    Gjatë hyrjes në Kuvend janë dëgjuar edhe krisma të mjeteve piroteknike, gjë që ka bërë që Gërvalla të ngutet për të hyrë brenda objektit të Kuvendit.

    Protestuesit pengojnë deputetët e LDK-së të dalin nga Kuvendi

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:15

    Disa protestues kanë penguar disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët hapën derën për të dalë nga Kuvendi.

    Protestuesit e mbledhur prapa objektit të Kuvendit për të kërkuar miratimin e projektligjit për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale reaguan ashpër kur panë deputetët e LDK-së që po tentonin të dilnin nga Kuvendi. Deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në votim, duke paralajmëruar për pasoja nga miratimi i këtij propozimi.

    U desh reagimi i policëve për t’i ndalur disa protestues që tentuan të afrohen te dera prapa Kuvendit.

    “Hec me e votu ligjin. Hyni mrena! Hyni mrena majmuna”, dëgjohet teksa bërtet njëri, sipas një videoje të publikuar nga Demos.

    Janë dëgjuar edhe sharje, ndërsa duke parë këtë situatë, deputetët që po dilnin jashtë e mbyllën derën e Kuvendit.

    Gërvalla arrin në sallën e Kuvendit pasi kaloi në lexim të parë ndryshimi i Ligjit për Specialen, shihet teksa flet me Kurtin

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:09

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës teksa tashmë po diskutohet për disa emërime të Bordit të ZRRE-së.

    Ajo është parë teksa flet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Kreu i LVV’së pritet që të takohet me kreun e PDK’së, Bedri Hamza, pasi është votuar në lexim të parë ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Kurti thotë se sot do të takohet me Hamzën

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 12:00

    Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar zhvillimin e takimit të radhës me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën.

    Kurti ka falënderuar Hamzën për takimet e zhvilluara deri më tani, duke bërë të ditur se komunikimi mes dy liderëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është e ndarë nga çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Pas miratimit të Projektligjit për Specialen në lexim të parë, Hamza ka thënë se votimi për këtë ligj nuk lidhet me marrëveshje të tjera politike.

    “Ligji për Specialen dhe presidenti janë çështje të ndara. Nuk është ligji çështje e marrëveshjeve tjera politike, për pozita”, deklaroi Hamza para mediave.

    Protestuesit para Kuvendit: S’largohemi pa e votuar ndryshimin e Ligjit për Specialen edhe në lexim të dytë

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:27

    Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri ka thënë se do të qëndrojnë para Kuvendit derisa të votohet ndryshimi i Projektligji për Specialen edhe në leximin e dytë.

    “Këtu nuk ka përfundunar asgjë. Këtu sapo ka filluar. Do të presim këtu bashkë derisa të bëhet edhe leximi i dytë e të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Pra, të mos mashtrohet askush se do të largohemi derisa të votohet Ligji për UÇK-në”, tha Haziri para të pranishmëve në protestë.

    Ai i porositi protestuesit të mos gjuajnë në drejtim të Policisë.

    Burri i Albulena Haxhiut kritikon VV-në për Specialen: E rëndë për aktivistët

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:24

    Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshorti i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me debatin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të iniciuar nga PDK-ja.

    Krasniqi ka kritikuar edhe qëndrimin e LVV-së për këtë çështje, duke thënë se votimi i ndryshimeve mund të krijojë përshtypjen se kjo parti po e pranon Gjykatën Speciale.

    “Me faktin që LVV po e voton këtë ligj po i bie disi që e pranon këtë gjykatë dhe kjo është tejet e rëndë për secilin aktivist që ka kundërshtuar gjykatën speciale”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

    “Sepse, vet ky far ligji i lodhët nuk e shfuqizon gjykatën speciale të PDK-së”, ka shkruar ai.

    Krasniqi ka kritikuar edhe PDK-në, duke e lidhur situatën aktuale me rolin që, sipas tij, kjo parti ka pasur në themelimin e Gjykatës Speciale.

    “Dhe ky është çmimi që VV po e paguan sot për tradhëtite e PDK-së dje”, ka shkruar ai.

    Ai ka pyetur nëse ka ndonjë reflektim nga PDK-ja për zhvillimet e fundit.

    “Dhe a po shihni reflektim të PDK-së? Askund në horizont”, ka shkruar Krasniqi.

    Hamza, Kurtit: Nëse keni propozime që mund ta pasurojnë ndryshimin e ligjit për Specialen, bëni

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:21

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i replikoi kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se “ligji është iniciativë e PDK-së”, por se ai mund të plotësohet dhe korrigjohet në komisionet parlamentare.

    Hamza i luti deputetët që nëse kanë propozime konkrete që mund ta pasurojnë propozimin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ta bëjnë këtë “në mes të dy leximeve”.

    “Po që se ka nevojë diçka të shtohet, të plotësohet, mund ta bëjmë gjatë procedurave në komisionet funksionale”, tha ai.

    Hamza tha se “është përgjegjësi ekskluzive e neve si deputetë që ta aprovojmë ligjin”

    Kurti: Për UÇK-në s’mund të ketë gjyq, duhet ligji për Hagën, por edhe presidenti për Kosovën

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:15

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend gjatë seancës ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kurti ka deklaruar se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartësja e saj.

    “Lufta e drejtë e popullit tonë ishte luftë çlirimtare. Bartëse e kësaj lufte ishte UÇK-ja. UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ka thënë Kurti.

    Duke iu referuar Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kurti ka thënë se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për analizimin e tij.

    Ai ka kundërshtuar atë që e ka cilësuar si ngutje për ndryshimin e ligjit, duke theksuar se ende nuk është publikuar aktgjykimi i plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    “Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq, të nderuar deputetë. Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi aktgjykimin e plotë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, ka deklaruar ai.

    Kurti ka përmendur edhe vitet 2013 dhe 2015, kur u ndërmorën hapat drejt themelimit të Dhomave të Specializuara.

    Sipas tij, në atë kohë Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte konsultuar për këto vendime.

    “Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur u votua krijimi i kësaj gjykate. Atëherë nuk na keni dëgjuar. Sot do të duhej të na konsultonit”, ka thënë Kurti.

    Kryeministri ka folur edhe për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se përgjegjësia për themelimin e saj duhet t’u adresohet atyre që e kanë mbështetur krijimin e saj.

    “Zemërimi i qytetarëve ndaj gjykatës sot është i drejtë, ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që kundërshtuan. Kemi kundërshtuar që në fillim gjykatën, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot”, ka deklaruar ai.

    Kurti ka thënë se Vetëvendosje do ta mbështesë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pavarësisht qëndrimit që kjo parti ka pasur ndaj themelimit të Speciales.

    Në fund të fjalimit, Kurti ka theksuar se krahas çështjes së Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kosovës i duhet edhe zgjedhja e presidentit.

    “Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por edhe president në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

    Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit po zhvillohet mes tensioneve jashtë objektit të Kuvendit, ku protestuesit po kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Kuvendi voton në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:07

    Kuvendi i Kosovës ka votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen, shkruan Reporteri.net.

    Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

    Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

    Pas miratimit në lexim të parë, procedura parlamentare për këtë Projektligj vazhdon me shqyrtimin e tij përpara votimit në lexim të dytë.

    Para se të arrinte në seancë plenare, Projektligji ka kaluar sot edhe në Komisionin për Legjislacion, ku u përkrah në parim në mënyrë unanime. Në votim morën pjesë nëntë deputetë dhe të gjithë votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Në mbledhje të Komisionit mungoi deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

    Projektligji është iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe parasheh ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara. /Reporteri.net/.

    Kurti: Mbështesim në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Specialen, por nuk jemi të bindur për dobinë e tij

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 11:05

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se lëvizjet për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

    Megjithatë, Kurti tha se do ta mbështetin ndryshimet e ligjit për Specialen në lexim të parë, por i tha PDK-së se duhet ta marrin përgjegjësinë.

    “Ju kemi mbështetur me rezolutën në Kuvend, sot po ju mbështesim edhe me votën në lexim të parë”, u shpreh ai.

    Megjithatë, ai theksoi se VV-ja nuk është e bindur për dobinë e projektligjit.

    “Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij Projektligji. Na keni thënë që këtë e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse, andaj po ua mbështesim edhe ne”, deklaroi Kurti.

    “Ka qenë një kohë e shkurtër për të analizuar ligjin, sidomos kur nuk e kemi aktgjykimin e prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015. Atëherë nuk na keni dëgjuar, por sot do të duhej të na konsultoni. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan e jo ndaj atyre që e kundërshtuan”, ka thënë ai.

     

    LDK kundër ndryshimit të ligjit për Specialen: Nuk bëhemi pjesë e kësaj nisme

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:57

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se si parti nuk votojnë për ndryshimet ligore për Gjykatën Speciale.

    Ajo tha se ka rreziqe politike dhe juridike nga kjo nismë ligjore dhe i bëri thirrje deputetëve t’i kenë parasysh.

    “LDK nuk bëhet pjesë e kësja nisme dhe paralajmëron rreziqet e mundshme poltiike dhe juridike. Deputetët t’i marrin seriozisht këto rreziqe. Lufta e UÇKë-së është e shenjtë. Ruajtja e interesit shtetëror është çka LDK do t’i qëndrojë besnike gjithmonë,” tha ajo.

    LDK nuk votoi as për shmangie procedurale.

    Hamza: Kjo çështje ka të bëjë me historinë dhe të ardhmen e vendit

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:52

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me historinë e vendit dhe të ardhmen e tij.

    Ka shtuar se kanë kërkuar e vazhdojnë të besojnë në drejtësi.

    Gjykimin e Speciales e ka quajtur proces të rëndë për vendin.

    “Janë krijuar dhe është amandamentuar Kushtetuta në bazë të raportit i cili ka bartur në vetvete akuza të tmerrshme. Jam i sigurt që nuk ka asgjë në ato akuza. Ato nuk mund të faktohen as me prova as me fakte. Dhe me ata që Kosova e ka bërë rrugën, me ata që e ka fitu lirinë e pavarësinë, ata e kanë votuar atë gjykatë. Që ka deviju Gjykata nga ajo që është votuar, është shumë e vërtetë”, ka thënë ai.

    Votohet me 90 vota shmangia procedurale për ndryshimin e ligjit për Specialen, LDK nuk voton

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:28

    Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes shtroi mocion procedural për shmangie procedurale për shqyrtim në lexim të parë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

    Shmangia u realizua me 90 vota për, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk votoi.

    “Pika e parë e rendit të ditës për plotësim ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar,” tha Albulena Haxhiu.

    “Parashtrojmë mocion procedural për shmangie procedurale, për shqyrtimin e projektligjit për Specialen. Propozojmë që shqyrtimi i parë i këtij projektligji të bëhet në seancën e jashtëzakonshme të VV-së, si propozim i VV-së për shkak të rëndësisë që ka ky projektligj. Që të bëhet shqyrtimi në lexim të parë,” tha Arbërie Nagavcvi

    Donika Gërvalla mungon në seancën për Ligjin për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:22

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk ndodhet në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet seanca për shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Seanca është hapur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.

    Në seancë nuk janë parë as dy ministrat, Armend Muja e Fitore Pacolli.

    Ndërkohë, jashtë objektit të Kuvendit vazhdojnë protestat, ku protestuesit dhe veteranët e UÇK-së po kërkojnë miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.

    Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, për ndryshimin e Ligjit për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:14

    Ka nisur punimet seanca ku do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Në sallë janë deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, me përjashtim të deputetëve të Listës Serbe.

    Deputetët e LDK-së kanë ardhur të fundit në sallë.

    Në sallë janë gjithsejt 101 deputetë.

    Vendoset emblema e UÇK-së në karrigen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 10:07

    Në karrigen e ministres të Drejtësisë, Donika Gërvalla, është vendosur emblema e UÇK-së.

    Emblema është vendosur nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

    Kurti arrin në Kuvend, nuk përgjigjet nëse pritet të votohet ndryshimi i ligjit për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 9:53

    Kryeministri Albin Kurti ka arritur në Kuvendin e Kosovës.

    Ai nuk ka pranuar të përgjigjet nëse deputetët e VV-së do t’i votojnë ndryshimet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

    Ai nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse është arritur marrëveshja për zgjedhjen e presidentit.

    Gucati para Kuvendit: Nëse s’votohet ligji do të përkeqësohet situata

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 9:47

    Kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati i është bashkuar protestuesve të mbledhur para Kuvendit të Kosovës, të cilët po bëjnë thirrje për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Gucati tha se ka ardhur së bashku me studentët dhe të rinjtë për të pritur zhvillimet lidhur me leximin e dytë të projektligjit.

    Ai paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet nëse projektligji nuk votohet.

    “Sot kemi ardhur t’u bashkëngjitemi studentëve dhe rinisë. Ne sot kemi ardhur ta presim leximin e dytë të projektligjit. Nëse nuk votohet leximi i dytë, nuk do të jetë situata e mirë as për ne, as për ata, e kam fjalën për parlamentarët dhe qeverinë”, tha Gucati.

     

    Deputetët e PDK-së arrijnë në sallën e seancave plenare

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 9:17

    Ndonëse ishte paralajmëruar të niste në orën 09:00, seanca e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk ka filluar ende.

    Vetëm deputetët e PDK-së dhe të Aleancës kanë arritur në sallën ku mbahen seancat plenare.

    Ndërsa, ende nuk kanë arritur në sallë deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së.

     

    Më herët Komisioni për Legjislacion miratoi Projektligjin për Specialen.

     

     

    LDK-ja nuk mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion ku u votua projektligji për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 9:15

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme te Komisionit për Legjislacion, ku në mënyrë unanime është votuar projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Deputetja e LDK-së që është anëtare në këtë komision është Doarsa Kica-Xhelili.

    Disa nga deputetët anëtar të këtij komisioni kanë bërë me dije se nuk i din arsyet e mungesës së deputetes së LDK-së në këtë mbledhje.

    Para nisjes së seancës, shtohet numri i protestuesve para Kuvendit – qytetarët kërkojnë votimin e ndryshimeve për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 8:54

    Është shtuar numri i qytetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar

    Protestuesit janë mbledhur para objektit të Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”. Ata po mbajnë pankarta dhe po u bëjnë thirrje deputetëve që të votojnë projektligjin.

    Ndërkohë, në Kuvend po zhvillohet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Pas përfundimit të shqyrtimit në Komision, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku projektligji është pika e parë e rendit të ditës.

    Në të njëjtën orë, para Kuvendit është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me kërkesë për miratimin e ndryshimeve ligjore.

    Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet e Projektligjit për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 8:42

    Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Nëntë anëtarë të Komisionit votuan pro miratimin të Ligjit për Specialen, nuk kishte asnjë votë kundër, dhe asnjë abstenim, shkruan Reporteri.net.

    Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.

    “Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, ka thënë ai.

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tek ka arsyetuar kërkesën për ndryshim të Ligjit ka thënë se me të synohet që Gjykatës Speciale, t’i merret një pjesë e juridiksionit.

    “E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, është shprehur Gruda.

    Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se procesi gjyqësor 6-vjeçar na dëshmoi se ajo për çka është formuar kjo gjykatë është tejkaluar.

    “Ajo qe duhet ne si Komision për Legjislacion ta themi është se ndryshimi mbi premisat e standardeve politike janë shumë normale për shkak se ligjet nuk janë libra të shenjtë që nuk ndryshojnë. Ato ndryshojnë me kohë. Institucioni duhet të reflektojë dhe ne sot jemi këtu për t’i bërë këto veprime”, ka thënë ai.

    PDK reagon para seancës për Ligjin e Speciales: Për UÇK-në, çlirimtarët e drejtësinë

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 8:07

    Para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, PDK ka përcjellë një mesazh të shkurtër lidhur me zhvillimet në Kuvend, duke shkruar: “Për UÇK-në! Për çlirimtarët! Për drejtësinë!”

    Reagimi i PDK-së vjen në kohën kur deputetët po shqyrtojnë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, bartjen në Kosovë të rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

    Ndryshimet në ligj janë propozuar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Protestuesit në shesh, në pritje seancës dhe miratimit të Ligjit për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 8:03

    Disa protestues po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Ibrahim Rugova”.

    Ata po presin mbledhjen e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit

    Në këtë mbledhje pritet të votohet Ligji për Specialen.

    Po ashtu në ora 09:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

    OVL-UÇK: UÇK na bashkon, shihemi në ora 9:00 para Kuvendit

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 8:01

    OVL-UÇK ka bërë thirrje për protestë sot në ora 09:00, para Kuvendit të Kosovës.

    Në atë kohë fillon seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të jetë çështja edhe ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale, i propozuar nga PDK-ja.

    Proteta ishte thirrur për orën 12:00, por ka ndryshuar ajo shkak i zhvillimeve me punimet e Kuvendit.

    OVL-UÇK iu ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të dalin ne protestë.

    Kuvendi sot në seancë të jashtëzakonshme, shqyrtohet Ligji për Specialen

    Reporteri
    05 Tetor 2026 | 6:52

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

    Senaca do të mbahet nga ora 09:00, me 22 pika në rend dite.

    Pika e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kujtojmë se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    Të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Rendi i ditës:

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-014 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-015 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027,

    Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

    Zgjedhja e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

    Zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,

    Përzgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,

    Shqyrtimi në i parë i Projektligjit nr.11/L-010 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve,

     

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë,

     

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-003 për Energjinë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-004 për Energjinë Elektrike,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-005 për Inovacion dhe Ndërmarrësi,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-012 për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-018 për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

    Gjithë natën në shesh, pas tendave, protestuesit ndezin edhe zjarre

    Reporteri
    04 Tetor 2026 | 22:46

    Disa protestues po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Ibrahim Rugova” duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale.

    Protestuesit kanë ndezur zjarrë dhe pritet të qëndrojnë gjithë natën aty.

    Aty janë vendosur edhe tendat.

    Po ashtu ata po kërkojnë që deputetët nesër në Kuvendin e Kosovës të votojnë Ligjin për Specialen.

    Ata kanë paralajmëruar për nesër një protestë duke filluar nga ora 08:00 kur edhe nis mbledhja e Komisionit për Legjislacion.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!