Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme të jashtëzakonshme, ka miratuar tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2021, IPA 2022 dhe IPA 2026–2027.

Deputetët kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për Programin IPA 2021, përmes së cilit mundësohet vazhdimi i procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 22.2 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian.

Edhe marrëveshjet e tjera do të mundësojnë kontraktimin dhe shfrytëzimin e 55.7 milionë eurove mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Reklamë

Ndërkaq, programi për IPA 2026–2027 parasheh projekte në vlerë të përgjithshme prej 193.856 milionë eurosh. Nga kjo shumë, rreth 180.5 milionë euro janë financim i Bashkimit Evropian, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga bashkëfinancimi i Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë.