Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë sot në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke propozuar që në të të përfshihet edhe një nen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Jashari tha se kjo kërkesë, sipas tij, është artikuluar nga qytetarët dhe protestuesit pas vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Që nga data kur u mor verdikti përfundimtar që solli një dënim të rëndë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sheshet janë të mbushura me një kërkesë, jo në emrin tim, i ri çlirimtarëve dhe kërkesa e të gjithë neve që sot jemi bashkë në të gjitha protestat. Ka qenë thirrje për bashkim, thirrje për unifikim dhe vendim në të drejtën tonë”, tha Jashari.

Reklamë

Ai u bëri thirrje institucioneve dhe deputetëve të Kuvendit që, sipas tij, të marrin vendimin e kërkuar nga qytetarët dhe ta procedojnë ligjin deri në miratimin në lexim të dytë.

“E drejta jonë, e sidomos e institucioneve dhe deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, është që ta marrin vendimin e duhur. Dhe ai vendim, nga kërkesat e qytetarëve, popullit të gjithandej, është që sot të vendoset, të sillet ligji dhe të kalojë edhe në leximin e dytë, pra me një nen ku e shfuqizon Gjykatën Speciale”, deklaroi ai.

Jashari kritikoi ashpër Dhomat e Specializuara, duke i akuzuar se kanë goditur ish-krerët e UÇK-së, luftën e kësaj organizate dhe, sipas tij, shtetësinë e Kosovës.

“Këtë gjykatë e cila goditi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me akuza të pabëra. Këtë gjykatë e cila goditi në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë gjykatë e cila goditi në historinë e popullit dhe kombit shqiptar, e mbi të gjitha goditi në shtetësinë e Kosovës”, tha ai.