Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë katër hapa për t’iu përgjigjur kërkesave të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa ka kritikuar këtë të fundit se nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të tyre.
Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se VV-ja ka qenë vazhdimisht konstruktive dhe bashkëpunuese në përpjekjet për të trajtuar kërkesat e PDK-së.
“Katër hapa i kemi bërë në drejtim të realizimit të kërkesave të PDK-së”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, hapi i parë ishte deklarata e përbashkët në Kuvend, ndërsa më pas Qeveria miratoi përgjigjen lidhur me nismën për projektligjin.
Kurti ka përmendur edhe thirrjen e seancës së Kuvendit, të iniciuar me 40 nënshkrime, si dhe votimin e projektligjit në seancën e djeshme.
“Këto po i marrin si të mirëqena, por do të ishin të pamundura pa votën e VV-së. Për asnjërën nga këto nuk patëm asnjë fije hezitimi. Ne i bëmë katër hapa drejt tyre, asnjë hap nuk e bëri PDK-ja drejt nesh. Kjo është e padrejtë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përsëritur se, sipas tij, Vetëvendosje ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, ndërsa pret që edhe PDK-ja të ndërmarrë hapa në drejtim të arritjes së një dakordimi politik.