Një shtetas i Kosovës, me inicialet S.S., është ekstraduar të martën nga Italia në Kosovë, pasi ishte i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 6 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai kërkohej për veprat penale “Pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal” dhe “Kontrabandë me emigrantë”.
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi u realizua në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Italisë.
Pas ekstradimit në Kosovë, S.S. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjakovës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.