Të paktën 24 persona kanë vdekur nga sulmet e natës së kaluar në pjesët qendrore e lindore të Ukrainës, në atë që presidenti Volodymyr Zelensky e ka përshkruar si njërin nga sulmet “më të ndyra” të Rusisë.

Presidenti ukrainas tha se një ndërtesë banimi në Pryluky të rajonit Çernihiv u shkatërrua si “dhuratë për ditëlindje për Putinin”, i cili të mërkurën mbushi 74 vjet. Nga sulmet u goditën edhe qytetet Kiev, Dnipro, Kremenchuk, Zaporizhia dhe Oleksandriya, raporton televizioni BBC.

Zelensky tha se Ukraina kishte goditur caqe në sulmet ndaj rajoneve Perm, Samara dhe Astrakhan të Rusisë gjatë 24 orëve të fundit, duke shtuar se “kishte kundërpërgjigje edhe në Detin e Zi”, pa dhënë hollësi të mëtejme.

Reklamë

Moska ende nuk i ka komentuar sulmet e reja.

“Rusët deshën që të godisnin në mënyrë të dhimbshme dhe demonstrative” – tha Zelensky, duke shtuar se u hodhën gjithsej 70 raketa.

Në një postim në rrjete sociale të mërkurën pasdite, Zelensyk tha se 18 persona, përfshirë katër fëmijë, ishin vrarë në një sulm ndaj një ndërtese 5-katëshe të banimit në Pryluky.

Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës tha se 50 persona kanë pësuar lëndime në këtë sulm, përfshirë shtatë fëmijë.

Reklamë

Dy njerëz u vranë dhe tetë u lënduan, pasi sulmet ruse me raketa dëmtuan pesë ndërtesa banimi në Dnipro dhe katër ndërtesa të larta në Kremenchuk, tha Zelensky.