Tensione janë shënuar në Tiranë para protestës së paralajmëruar para Kuvendit të Shqipërisë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për reformën territoriale.
Protestuesit kundërshtojnë propozimin për shkrirjen e disa bashkive, ndërsa situata është tensionuar në momentin kur disa prej tyre kanë tentuar të largojnë gardhin metalik të vendosur në zonën e protestës.
Policia ka ndërhyrë duke përdorur spraj lotsjellës ndaj protestuesve. Disa prej tyre kanë shfaqur shqetësime për shkak të sprajit dhe janë transportuar me ambulanca në spital për të marrë ndihmën e parë.
Lëndime të lehta raportohet se kanë pësuar edhe disa efektivë të Policisë, pasi janë goditur me shishe dhe sende të tjera.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë para Kuvendit, ndërsa në mesin e tyre janë edhe përfaqësues të disa bashkive që preken nga reforma e re territoriale e propozuar nga Partia Socialiste.