Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka mohuar raportimet se sot janë kryer bastisje në ambientet e këtij institucioni.

Përmes një reagimi, MASh ka bërë të ditur se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se informacioni për bastisje në Ministri është i pavërtetë.

“MASh sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Reklamë

Ministria u ka kërkuar mediave që kanë publikuar ose ripublikuar raportimet për bastisjen që ta tërheqin lajmin dhe ta publikojnë demantimin.

Sipas MASh-it, puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe përgjegjësitë e detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve.

Edhe Policia e Kosovës mohoi se kanë zhvilluar ndonjë aksion në këtë ministri.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë zhvillim/rast të realizuar sot nga Policia e Kosovës, në ministrinë të cilës iu keni referuar”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Reklamë