Zyrtarët doganorë në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë kanë konstatuar parregullsi gjatë kontrollit të plombimit të një mauneje që transportonte mallra parciale për import.

Sipas një njoftimi për media thuhet se gjatë kryerjes së procedurave doganore, përveç verifikimit të dokumentacionit dhe harmonizimit të tij me gjendjen faktike të mallrave, zyrtarët doganorë kanë për detyrë të kontrollojnë edhe vendosjen dhe sigurinë e plombave, me qëllim të garantimit të paprekshmërisë dhe identifikimit të mallrave gjatë transportit nën procedurën e transitit.

“Gjatë kontrollit, zyrtari doganor ka vërejtur parregullsi në sistemin e plombimit të maunes, pasi ishte konstatuar se ai mundësonte ndërhyrje edhe pas vendosjes së plombës, duke mos garantuar sigurinë e kërkuar të mallrave gjatë transportit”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Po ashtu thuhet se për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse doganore, në bazë të Kodit Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizat, për mosrespektim të rregullave që lidhen me procedurën e transitit, përfshirë dispozitat për paraqitjen e mallrave të paprekura në zyrën doganore të destinacionit dhe përdorimin e plombave të përshtatshme për sigurimin e identifikimit të tyre.

“Si rezultat, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor, forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e kontrabandës, duke siguruar që procedurat doganore të zbatohen në përputhje me ligjin dhe që mallrat nën mbikëqyrjen doganore të transportohen në mënyrë të sigurt dhe të rregullt”, thuhet në njoftim.