Policia e Malit të Zi ka gjetur dronë, pajisje të sofistikuara digjitale, pajisje elektronike dhe telefona te kreu i rrjetit rus informativ “Ribar” (Rybar), Mihail Zvinçuk, dhe personat e ndaluar së bashku me të, gjatë një aksioni të zhvilluar të premten në zonën e Gjirit të Kotorrit.

Sipas portalit malazez Vijesti, i cili citon burime nga sektori i sigurisë, aktualisht është duke u zhvilluar procedura hetimore ndaj personave të ndaluar.

Aksioni po realizohet nga zyrtarët e Departamentit të Sigurisë në Tivat, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB).
Përveç Zvinçukut, janë ndaluar edhe bashkëshortja e tij dhe bashkëpunëtorja, Valeria Vladimirovna Zvinçuk, si dhe tre persona të tjerë.

Reklamë

Sipas Vijesti, policia dhe Agjencia për Siguri Kombëtare do të ndërmarrin masa të mëtejshme, brenda kompetencave të tyre, për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Mediumi malazez raportoi më herët se aksioni po zhvillohet për shkak të dyshimeve për veprimtari hibride nga rrjeti “Ribar”, të cilin autoritetet britanike dhe amerikane e lidhin me propagandën e Kremlinit dhe operacionet e ndikimit të huaj përmes informacionit.

Sipas të njëjtave burime, shërbimet malazeze kishin paralajmërime për ardhjen e anëtarëve të këtij rrjeti, ndërsa lëvizjet e tyre ishin përcjellë për disa ditë.

Qëllimi i vizitës së tyre, sipas burimeve të Vijesti, ishte realizimi i materialeve dokumentare në video lidhur me harmonizimin e paralajmëruar të politikës së vizave të Malit të Zi me standardet e Bashkimit Evropian.

Burime nga sektori i sigurisë kanë deklaruar se materiali i planifikuar synonte t’i paraqiste integrimet evropiane si një proces të imponuar politikisht, me pasoja negative për turizmin, stabilitetin ekonomik dhe interesat kombëtare të Malit të Zi.

Reklamë