Në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase, të hënën u dëgjua dëshmitarja Erza Limani, e cila deklaroi se kur tani e ndjera kishte rënë nga dritarja e hotelit, i kishte kërkuar ujë.

“E vetmja gjë që kam bisedu është kur ka kërku ujë”, tha Limani- e cila ishte recepsioniste në hotelin ku ka ndodhur rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu rastin në rigjykim.

Reklamë

Tani, rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri- kryetar dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.

Fillimisht, seanca e së hënës nisi me ndryshim në përbërje të palëve të dëmtuara, duke u futur si i dëmtuar Akundo Urdergaraja- babai i të ndjerës me përfaqësues- avokatin Leutrim Syla.

Gjithashtu, Gjykata njoftoi se tashmë është siguruar përkthyesi i gjuhës gjermane në dialektin ku ka jetuar i akuzuari, pra në Zvicër.

Më pas, u dhanë fjalët hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori rastit Armend Hamiti tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Gjithashtu, pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar mbeti edhe e dëmtuara Maria Magdalena, me përfaqësuesin e saj- avokatin Betim Shala.

Reklamë

Ndërkaq, avokati Syla tha se në këtë gjykim qëndrojnë në emër të të ndjerës që tashmë nuk është dhe është viktimë dhe se të gjitha çështjet procedurale që i ka specifikuar Apeli, pret të tejkalohen në këtë gjykim, ashtu që Nika të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim më të ashpër.

Ndërkaq mbrojtësi i Nikës, avokati Tomë Gashi tha se gjatë gjykimit do të vërtetohet se objekti ku ka ndodhur rasti nga ku ka rënë e ndjera, nuk ka leje ndërtimore, për çka edhe ka paraqitur kallëzim penal.

Më tej, avokati Gashi tha se një formë e tillë e ndërtimit vetëm hotel nuk është.

Avokati Gashi tha se është shqetësuese se si dhoma e hotelit nga ku ka rënë e ndjera nuk ishte siguruar përmes shiritave të policisë, por vetëm vendi ku kishte rënë ajo.

Reklamë

Sipas avokatit Gashi, e ndjera nuk ka asnjë gjurmë të dhunës që mund t’i ketë ndodh në dhomën 403, nga edhe ku ka rënë.

Lidhur me incizimet që janë dorëzuar në Polici nga pronari dhe menaxheri, avokati tha se nuk janë dorëzuar për analiza në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me fotografitë e realizuara në vendin e ngjarjes nga ana e zyrtarëve policorë e që nuk gjenden në shkresat e lëndës, sipas avokatit Gashi, zyrtarët në fjalë duhej të përfundonin në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Më tej, seanca vijoi me dhënien e dëshmisë nga nëna e të ndjerës, Maria Magdalena, e cila tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Reklamë

Gjithashtu, deklaratën e dha edhe babai i të akuzuarit Nika, Ismajl Nika, i cili deklaroi se i mbështetë deklarimet e dhëna në shqyrtimin e mëparshëm.

Pas tij, dëshminë e dha dëshmitarja Erza Limani, ku paraprakisht me propozimin e avokatit Gashi u lexua në tërësi deklarata e dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, e që me propozimin e vet Limanit, atë kohë deklaratën e kishte dhënë të mbyllur për publikun.

Sipas asaj që u lexua, u tha se Limani ka deklaruar se Nika nuk kishte kërkuar që të thirrej policia dhe se kur e ka kuptuar se është thirrë policia nga stafi i hoteli, kishte thënë “Jo, policinë jo”.

Më tej, sipas asaj deklarate që iu lexua, e që Limani e kishte dhënë në shqyrtimin e kaluar, ajo ka deklaruar se Nika kur ka zbritur nga dhoma pasi që kishte rënë e ndjera, e kishte të shqyer këmishën.

Reklamë

Po ashtu, u lexua se Limani ka deklaruar se nuk kishte dëgjuar bisedën e saj me të akuzuarin Nika.

Më pastaj, dëshmitarja vazhdoi me dhënien e përgjigjeve ndaj pyetjeve të avokatit Gashi, ku tha se me aq sa ka njohuri, nuk ka lidhje familjare me pronarët dhe menaxherin e hotelit ku ka ndodhur rasti.

Më tej, dëshmitarja Limani tha se në deklaratën e parë të dhënë në polici, ajo kishte deklaruar ndërkaq zyrtarët policorë kishin mbajtur shënime për çka deklaronte se edhe mbi ato fleta kishte dhënë nënshkrim.

Tutje, dëshmitarja Limani tha se në kohën kur ka dhënë deklaratë në polici, ka qenë e stresuar ndërkaq në deklaratat e dhëna më herë- atë në Prokurori dhe pastaj në gjykimin e kaluar, ka kujtuar detajet, duke thënë se është munduar të përgjigjet në secilën rrethanë që e ka parë.

Dëshmitarja Limani tha se afërsisht rreth orës 2 kishte dëgjuar zhurmën kur e ndjera kishte rënë nga dhoma e hotelit 403.

Ajo deklaroi se e ka vizituar dhomën para se të ndodhte rasti, ndërkaq pasi ka ndodh nuk i kujtohet, duke shtuar po ashtu se nuk i kujtohet se kush e ka pastruar atë dhomë pas ndodhisë së rastit.

Me përfundimin e dëshmisë së Limanit përfundoi edhe seanca, derisa e radhës pritet të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarëve tjerë.