Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar reagimin e Prokurorisë pas postimeve të disa zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje,postime të cilat ai i ka qujatur kërcënuese. 

Rama, të cilit i referohen këto postime, ka ngritur pikëpyetje për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe ka pretenduar se kërcënimet ndaj tij janë intensifikuar kohëve të fundit.

“PROKURORI, A PO I DËGJONI KËRCËNIMET QË BËHEN NË EMRIN TUAJ?! Kush e administron drejtësinë në këtë vend? Organet e pavarura të drejtësisë apo zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje?”, ka shkruar Rama në Facebook.

Reklamë

Ai ka akuzuar deputetë dhe asamblistë të LVV-së se po kërcënojnë në emër të shtetit dhe institucioneve të tij, duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren seriozisht me këto deklarata.

“Ku ndodhet drejtësia në këtë vend? Në institucionet e pavarura të Republikës apo në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje? Kush vendos për fatin, lirinë dhe sigurinë e secilit? Ligji dhe Kushtetuta apo vullneti politik i deputetëve të Vetëvendosjes?”, ka shkruar ai.

Kryetari i kryeqytetit ka pretenduar gjithashtu se institucionet po përdoren si instrument presioni ndaj tij dhe kundërshtarëve politikë.

“Askush nuk ka të drejtë t’i përdorë institucionet si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve apo kujtdo që mendon ndryshe!”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se mandatin e ka marrë nga qytetarët e Prishtinës dhe se nuk do të zmbrapset përballë presionit politik.

Reklamë

“Mos e ngatërroni qetësinë me dobësi. As përmbajtjen me frikë. Ta keni të qartë, nuk më HESHTINI dhe nuk më NDALNI!”, ka shkruar Rama, duke shtuar se Prishtina qeveriset me votën dhe besimin e qytetarëve, jo me kërcënime.