Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, i ka kërkuar sulmuesit Julian Alvarez të vazhdojë të përmirësohet, pavarësisht nisjes së vështirë të sezonit dhe mungesës së golave me fanellën e klubit madrilen.

Atletico Madridi të martën do të përballet me Manchester Unitedin në Ligën e Kampionëve, në një moment kur skuadra e Simeones vjen pas katër fitoreve radhazi në të gjitha garat.

Alvarez, i cili më herët ishte pjesë e Manchester Cityt, ende nuk ka shënuar këtë sezon për Atleticon në pesë ndeshje, ndonëse realizoi për Argjentinën në një miqësore kundër Burkina Fasos gjatë pushimit të fundit për ndeshjet e kombëtareve.

Reklamë

Sulmuesi argjentinas ishte pranë golit të shtunën ndaj Alavesit, kur goditja e tij përfundoi në shtyllë pasi u inkuadrua nga banka rezervë. Atletico e fitoi atë takim dhe u ngjit në pozitën e dytë në La Liga.

“Sulmuesit me karakteristikat e Julianit gjithmonë kanë nevojë për gola, jo vetëm ai. Përtej finalizimit, ai është lojtar që punon për ekipin, lidhet shumë mirë me bashkëlojtarët, mund të asistojë dhe ka shumë cilësi të tjera përveç shënimit të golave”, deklaroi Simeone para gazetarëve të hënën.

Trajneri argjentinas shtoi se paraqitja e Alvarezit në pjesën e dytë ndaj Alavesit ishte pozitive dhe shprehu shpresën që sulmuesi të vazhdojë të përmirësohet.

“Do të jetë një ndeshje e gjatë dhe e vështirë. Duhet t’i menaxhojmë forcat tona në mënyrë që të garojmë sa më mirë”, përfundoi Simeone.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi po kalon një periudhë më të vështirë, pasi nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Reklamë

Sipas raportimit të AFP-së, skuadra angleze po përjeton edhe nisjen e saj më të dobët të një sezoni në Premier League në 40 vjet.