Edonisa Aliu ka deklaruar se është kërcënuar dhe sulmuar fizikisht nga panelisti Liridon Leci, pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini.
Në një prononcim për Demos, Aliu ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, në ambientet e studios televizive, ku një debat verbal mes tyre, sipas saj, ka përfunduar me dhunë fizike.
Ajo pretendon se pas përfundimit të emisionit, Leci e ka fyer rëndë dhe më pas e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë.
“Pasi kemi dalë prej aty, më ka thënë ‘ti je k*rv, prostitutë, shitesh andej e shitesh këndej, nënën e ke k*rv, familje k*rvash’, pastaj më kapi për fyti dhe më goditi në fytyrë, me grusht apo me duar, diçka të tillë”, ka rrëfyer Aliu për Demos.
Ajo ka thënë se është e tronditur emocionalisht nga ajo që ka përjetuar, duke theksuar se asnjë debat apo mospajtim nuk mund ta arsyetojë dhunën ndaj një gruaje.
“Është e tmerrshme me hy në një studio televizive për me diskutu për sportin, për diçka që e don dhe që është pjesë e jetës tane, e me dal prej aty e rrahun, e tronditun, e frikësume dhe e lëndume”, ka deklaruar Aliu.
Ajo ka theksuar se dhuna nuk duhet të arsyetohet, të normalizohet apo të heshtet, ndërsa ka bërë të ditur se reagimin e plotë publik do ta japë në profilin e saj zyrtar në Facebook, kur të jetë e gatshme.
“Por një gjë du me e thanë shumë qartë, dhuna nuk guxon me u arsyetu, nuk guxon me u normalizu dhe nuk guxon me u hesht”, ka thënë ajo.
Sipas raportimeve për rastin, Aliu e ka denoncuar Lecin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar se ai e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë pas përfundimit të emisionit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në objektin e RTV Dukagjinit në Shkabaj.
Aliu ka marrë tretman mjekësor pas rastit, ndërsa Liridon Leci e ka mohuar sulmin në një reagim në Facebook.