Gani Geci është arrestuar sonte në mbrëmje nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Arrestimi vjen pas përplasjes së Gecit me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se është kërcënuar nga familja Geci lidhur me një postim kritik ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci.

Pak pasi u dha lajmi për arrestimin e Gecit, gazetari ka reaguar shkurt në Facebook, duke shkruar “E Verteta Gjithmone.”.

Reklamë

Mehmetaj ka treguar sonte në emisionin “Debat Plus” se anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar ta largonte ose ta ndryshonte postimin e tij, por ai kishte refuzuar.

Sipas gazetarit, pas refuzimit, ndaj tij ishin bërë kërcënime, për çka kishte vendosur ta denonconte rastin në Policinë e Kosovës.

“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar Mehmetaj.

Në fund të emisionit, moderatori Ermal Panduri deklaroi se Gani Geci ndodhej në parkingun e televizionit ku po zhvillohej debati.

Reklamë

Derisa, themeluesi i “Vox Kosova” bëri të qartë se nuk e pranonte largimin ose ndryshimin e postimit. Ai tha se do të vazhdonte të shkruante për deputetin Fatos Geci sa herë ta konsideronte të nevojshme.

“Unë mangup s’jam, po me ma diktu mu çka shkruaj s’ka shans, me u rrotullu tokë e qiell”, u shpreh Mehmetaj.