Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, pas vdekjes së një punëtori në një objekt ndërtimi në Ferizaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Cen Dugolli”, rreth orës 15:50, ku një person që po kryente punime në një objekt ndërtimi dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Si pasojë e lëndimeve, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Reklamë

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, prokurori i shtetit ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Personi i dyshuar, me inicialet B.T., është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdojë me procedurat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.

Reklamë

Për rastin mbëmë kanë folur edhe nga Policia e Kosovës. Ata kanë konfirmuar se një 31 vjeçar, me inicialet B.T. është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, në lidhje me vdekjen e një punëtori në vendpunishten në Ferizaj.

Ngjarja ka ndodhur të hënën pasdite në një objekt në ndërtim në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.

I dyshuari u ndalua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës“.

“Viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa B.T., 31 vjeç, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale „Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës“, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Reklamë