Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të partive politike kanë zhvilluar takime me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, gjatë vizitës së tyre në Kosovë.
Rikthimi i Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe forcimi i bashkëpunimit me Uashingtonin kanë qenë ndër temat kryesore të diskutuara në këto takime, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se Kosova e vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik si instrument për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Në komunikatën e Presidencës thuhet se presidentja ka nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet synim parësor i Kosovës.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Gjatë takimit, presidentja e ka falënderuar senatoren Shaheen për angazhimin e vazhdueshëm ndaj Kosovës, veçanërisht për mbështetjen e pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo ka vlerësuar edhe letrën që Shaheen ia ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në mbështetje të vazhdimit të kësaj pranie.
Shiroka-Pula i ka ndarë senatores Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e saj në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon. Kjo është dekorata e parë e ndarë nga presidentja që nga marrja e mandatit.
Kurti kërkon mbështetje për NATO-n dhe Bondsteel-in
Edhe kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me Shaheen dhe Durbin ka kërkuar mbështetje për integrimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake Bondsteel në bazë të përhershme.
Në një postim në Facebook, Kurti ka folur edhe për situatën e sigurisë, duke thënë se paqja në Kosovë është e qëndrueshme, por se shqetësim mbeten veprimet dhe deklaratat e Serbisë.
“Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, në takim janë diskutuar edhe reformat në arsim, vettingu në drejtësi dhe krijimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kurti ka përmendur gjithashtu zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rritjen e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe planet për investime në infrastrukturë.
“Përgjatë pesë vjetëve të fundit eksporti i shërbimeve të TIK-ut është pesëfishuar dhe aktualisht ky sektor përbën 6% të Bruto Produktit Vendor. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me mbi 4%, ndërsa ky mandat qeverisës do të jetë i hekurudhave, digave, industrisë së mbrojtjes, e stadiumeve sportive drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar kryeministri.
Çitaku: UÇK-ja dhe NATO-ja u bënë bashkë për lirinë e Kosovës
Takim me senatorët amerikanë ka zhvilluar edhe sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila ka vënë theksin te raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe nevoja për rifillimin e Dialogut Strategjik.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka rikujtuar mbështetjen amerikane në momentet vendimtare të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Bashkë duam ta vazhdojmë rrugëtimin drejt një Kosove më të sigurt, më të zhvilluar dhe, shpresoj, së shpejti pjesë të familjes euroatlantike. UÇK-ja dhe NATO-ja u bënë bashkë për lirinë e Kosovës dhe për ta ndalur regjimin gjenocidal të Serbisë. Ky bashkim shpëtoi jetë dhe i hapi Kosovës rrugën drejt një të ardhmeje të lirë e shpresëdhënëse”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kundërshtuar paraqitjen e luftës së UÇK-së si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke e cilësuar luftën e popullit të Kosovës si të drejtë, të pashmangshme dhe çlirimtare.
“Paraqitja e saj si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ cenon të vërtetën e asaj që mbrojtëm bashkë. Këtë të vërtetë do ta mbrojmë gjithmonë, me krenari, vendosmëri dhe argumente”, ka deklaruar Çitaku, duke falënderuar SHBA-në dhe senatorët për mbështetjen e vazhdueshme.
Abdixhiku kërkon forcimin e besimit me SHBA-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka pritur gjithashtu në takim Shaheen dhe Durbin, të cilët i ka cilësuar si “dy miq të çmuar të Kosovës”.
Abdixhiku ka bërë të ditur se një nga çështjet kryesore të diskutimit ka qenë rikthimi i Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, i cili ishte pezulluar nga pala amerikane.
“I falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Në takim theksova nevojën për rikthimin në Dialogun Strategjik me SHBA-në”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së ka vlerësuar se Kosova duhet të punojë për forcimin e marrëdhënieve me aleatin e saj më të rëndësishëm.
“ Kosovës i duhet ta forcojë besimin dhe bashkëpunimin me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kjo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se ruajtja dhe forcimi i miqësisë me SHBA-në mbetet një nga shtyllat e identitetit politik të LDK-së.
Gjini: Integrimi në NATO, garanci për stabilitetin në rajon
Në Ambasadën amerikane në Prishtinë me senatorët është takuar edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.
Ai ka vlerësuar se Serbia, me synimet e saj për zgjerim dhe ndryshim të kufijve, përbën burimin kryesor të jostabilitetit në rajon.
Sipas Gjinit, integrimi i Kosovës në NATO, me mbështetjen e SHBA-së, është garanci për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci stabile, si për Kosovën, ashtu edhe për rajonin.
Ai ka theksuar se përafrimi gjeopolitik me SHBA-në është thelbësor për krijimin e një mjedisi të sigurt për investime, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
“Përparimi dhe stabiliteti afatgjatë i Kosovës kërkojnë bashkëpunim të ngushtë dhe besim të ndërsjellë me Uashingtonin zyrtar”, ka theksuar Gjini, duke e përmbyllur postimin me fjalët: “Kosova është e bekuar me miqtë e saj!”./Reporteri.net/