Policia e Kosovës ka identifikuar 15 vetura të paregjistruara që qarkullonin në rrugë publike në rajonin e Podujevës, brenda vetëm tri orësh.
Sipas një komunikate të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, aksioni është zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në kuadër të një plani operativ për rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në një rrugë rajonale janë përdorur pajisje dhe vetura inteligjente për monitorimin e trafikut.
“Ndaj të gjithë ngasësve të papërgjegjshëm janë ndërmarrë masat e parapara me ligj, përfshirë largimin e menjëhershëm të mjetit nga trafiku dhe shqiptimin e gjobave konform legjislacionit në fuqi për sigurinë në trafikun rrugor”, thuhet në komunikatë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe t’i regjistrojnë me kohë automjetet e tyre.
Po ashtu, ka njoftuar se përdorimi i teknologjisë dhe veturave inteligjente do të vazhdojë në mënyrë intensive në të gjitha rrugët e rajonit.