Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar formimin e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kryesues i këtij grupi është caktuar Vigan Qorrolli, ndërsa në përbërje të tij do të jenë edhe deputetë nga partitë e ndryshme politike.

Nga Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë Adnan Rrustemi, nga Partia Demokratike e Kosovës Përparim Gruda dhe Blerta Deliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës Doarsa Kica-Xhelili, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës Albert Kinolli dhe nga Aleanca, Besnik Tahiri.

Reklamë

Gjatë diskutimit në komision, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se grupet punuese shërbejnë për të lehtësuar dhe përshpejtuar punën e komisionit, por nuk duhet të kufizojnë përfshirjen e deputetëve të interesuar në shqyrtimin e projektligjit.

Rrustemi deklaroi se është i interesuar të marrë pjesë në diskutimet për këtë projektligj dhe ftoi edhe deputetët e tjerë që të kontribuojnë në shqyrtimin e tij.

Ai sqaroi se grupi punues nuk merr vendime përmes votimit, por shërben për shqyrtimin e projektligjit nen për nen, diskutimin e propozimeve dhe argumenteve, të cilat më pas i përcillen komisionit për shqyrtim dhe votim.

“Në grupin punues nuk votohet. As për propozime, as për nene. Ato punohen, trajtohen të projektligjit nen për nen, jepen argumente edhe sillet në komision përsëri. Atë votë, vota s’ka peshë aty. Argumenti po, vota jo”, tha Rrustemi.