WhatsApp po e bën më të lehtë komunikimin me personat që nuk e përdorin rregullisht këtë aplikacion.

Kompania Meta, në pronësi të së cilës është WhatsApp, ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson njerëzve të marrin pjesë në thirrje edhe pa pasur llogari në këtë platformë.

Funksioni i ri, i quajtur thirrje për mysafirë, u mundëson përdoruesve të ftojnë persona të tjerë në thirrje përmes një lidhjeje. Mysafirët mund ta hapin këtë lidhje në shfletuesin e internetit, pa pasur nevojë ta shkarkojnë aplikacionin apo të krijojnë llogari.

Reklamë

Megjithatë, vetëm personat që kanë llogari në WhatsApp mund të krijojnë lidhjen e thirrjes. Për t’u bashkuar, mysafirët duhet të presin në një dhomë pritjeje derisa organizatori t’ua miratojë hyrjen. Organizatori mund t’i largojë ata nga thirrja në çdo kohë.

Përdoruesit e ftuar mund të marrin pjesë në thirrje individuale ose grupore, me deri në 32 pjesëmarrës. Ata mund të ndajnë ekranin, të reagojnë me emoji, si dhe të ngrenë dorën për të kërkuar fjalën. Thirrjet janë falas, të mbrojtura me enkriptim nga fillimi në fund dhe nuk kanë kufizime kohore.

Për arsye të privatësisë, mysafirët nuk mund t’i shohin numrat e telefonit të pjesëmarrësve të tjerë, të dërgojnë mesazhe apo të shtojnë persona të rinj në thirrje.

Për ta përdorur këtë funksion, përdoruesit e WhatsApp-it duhet të hapin rubrikën e thirrjeve, të zgjedhin simbolin “+”, të krijojnë një lidhje dhe t’ua dërgojnë atë personave që duan t’i ftojnë.

Kompania ka njoftuar gjithashtu se më vonë gjatë këtij viti planifikon të mundësojë integrimin me kalendarët Google Calendar dhe Outlook. Kjo do t’u lejojë përdoruesve të krijojnë lidhje për thirrje në WhatsApp drejtpërdrejt nga kalendari dhe t’i përfshijnë ato në ftesat për takime.

Reklamë

Funksioni i ri është pjesë e përditësimeve që synojnë ta bëjnë WhatsApp-in më të qasshëm dhe më të përshtatshëm për komunikimin personal dhe profesional.