Debatet për funksionimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), mungesën e kuorumit dhe vonesat në shqyrtimin e ankesave kanë nxitur përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të Këshillit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, e pyeti anëtarin Eshref Shabani se cilës parti politike i përket, duke pretenduar se sjellja e tij në mbledhje kishte ngjyrosje politike.

“Po na kallëzon në cilën parti politike je?”, e pyeti Bajrami.

Reklamë

Në përgjigjen e tij, Shabani deklaroi se është krenar që i përket Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

“E në cilën parti jam, jam shumë krenar që i përkas Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe shumë krenar jam që puna jem që e kam bërë në Këshill juve deputetëve të VV-së nuk ju pëlqen”, tha Shabani.

Ai kërkoi falje për emocionet në fillim të diskutimit dhe theksoi se ishte zgjedhur me 55 vota në Kuvend, ndërsa shtoi se vendimet e Këshillit mund të kontestohen në gjykatë.

Përplasje edhe për kuorumin dhe mandatin e kryesuesit

Debatet në komision u përqendruan edhe te kuorumi i KPMShCK-së dhe mundësia që ky institucion të mbajë mbledhje, të caktojë kolegje dhe të shqyrtojë ankesa.

Reklamë

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e pyeti kryesuesin e Këshillit, Arben Mehmeti, nëse institucioni aktualisht ka kuorum për t’i kryer këto funksione.

“Jam duke të pyetur a ka Këshilli aktualisht kuorum me mbajt mbledhje, me caktuar kolegje dhe me shqyrtuar ankesa këto kolegje”, tha ajo.

Mehmeti iu përgjigj se deputetja e njeh ligjin, pasi e ka votuar atë.

“Deputete, këtë pyetje s’duhesh me bë, se ti e din ligjin, ti e ke votuar ligjin”, deklaroi ai.

Reklamë

Kryeziu-Hyseni kundërshtoi, duke i thënë se ai mund ta njohë ligjin, por të mos dëshirojë ta zbatojë, pasi i konvenon funksionimi aktual i Këshillit.

Gjatë diskutimit, Mehmeti bëri të ditur se mandati i tij kishte përfunduar më 25 janar 2025.

Në këtë moment ndërhyri deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili e krahasoi situatën me periudhën kur Albin Kurti kishte ushtruar detyrën e kryeministrit pa mandat të ri.

“Hajt se dy vjet ka nejt Albin Kurti pa mandat e nuk u bë kiameti, ja ti”, tha Zemaj.

Reklamë

Musliu kritikon organizimin e raportimit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kritikoi mënyrën se si ishte organizuar raportimi i Këshillit, duke thënë se ftesa nuk e kishte përcaktuar periudhën kohore apo çështjet për të cilat duhej të raportohej.

Ajo tha se përfaqësuesit e Këshillit duhej të ishin njoftuar më konkretisht për temat e diskutimit.

“Sot keni ardhur në mal pa sëpatë, nëse mundeni me arrit me ia dalë, ju përgëzoj”, u shpreh Musliu.

Reklamë

Kritika ndaj pushtetit pati edhe deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi. Ajo tha se shpreson që thirrja e Këshillit në komision të ketë për qëllim funksionalizimin e tij dhe jo, siç u shpreh, kapjen politike të institucionit.

“Shpresoj se tendenca është me ndihmuar Këshillin me qenë funksional, e jo tendenca e pushtetit me kap edhe këtë Këshill që është i shenjtë në mbrojtjen e shërbyesve civilë”, tha Bytyqi.

Ajo paralajmëroi se institucionet duhet të jenë të kujdesshme ndaj ndërhyrjeve politike.

Azemi ngre çështjen e vonesave në ankesa

Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, ngriti çështjen e kohës së pritjes për shqyrtimin e ankesave, duke pretenduar se për raste të ndryshme kishte dallime të mëdha në kohën e përgjigjes.

Ai përmendi një ankesë të dorëzuar më 6 nëntor 2025, për të cilën, sipas tij, përgjigjja ishte vonuar rreth 267 ditë, ndërsa në raste të tjera përgjigjet ishin dhënë brenda 45 ditësh.

“Në çfarë baze e bëni këtë selektimin e rasteve?”, pyeti Azemi.

Përfaqësuesit e Këshillit u përgjigjën se koha e shqyrtimit varet nga natyra e lëndës.

Bajrami kritikoi gjithashtu faktin se, sipas tij, Këshilli nuk kishte raportuar në komision që nga viti 2023. Ai tha se përfaqësuesit duhej të vinin të përgatitur me të dhëna për punën e institucionit.

Ndaj tij reagoi Bytyqi, e cila tha se gjatë dy vjetëve nuk kishte pasur qeveri dhe se kjo kishte ndikuar në mundësinë e thirrjes së Këshillit për raportim.

“Po që dy vjet s’ki pas qeveri, s’ki pas qysh mi thirr”, tha ajo.

Bajrami iu kundërpërgjigj duke thënë se partia e saj kishte kërkuar vazhdimisht zgjedhje gjatë asaj periudhe.

Mbledhja u karakterizua nga diskutime të ashpra mes deputetëve dhe përfaqësuesve të KPMShCK-së për funksionimin e institucionit, kuorumin, mandatin e kryesuesit dhe trajtimin e ankesave të shërbyesve civilë.