Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten seancë plenare, e cila është caktuar të nisë në orën 12:00.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rendin e ditës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.

Deputetët fillimisht do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të këtyre komisioneve për Legjislaturën XI.

Reklamë

Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, ndërsa më pas do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.